Përveç Rumanisë, kompania kineze "Huawei" ka krijuar degë të saj edhe në shumë vende të tjera të Evropës Qendrore dhe Lindore. "Huawei" e vlerëson tregun evropianoqendror dhe evropianolindor si një hapësirë të rëndësishme zhvillimi. Kompania tjetër e rëndësishme kineze e telekomunikacionit ZTE e zhvillon gjerësisht biznesin e vet në vendet e Evropës Qendrore e Lindore. Kina nxit bashkëpunimin me vendet e këtij rajoni, gjë që është një lajm shumë i mirë për ndërmarrjet kineze që synojnë zhvillimin afatgjatë në Evropën Qendrore e Lindore, duke përfshirë këtu edhe kompaninë ZTE. Drejtori i përgjithshëm i marrëdhënieve publike i kësaj kompanie Lu Jian shprehet:
"Ne jemi të mendimit se tregu i Evropës Qendrore e Lindore është një pararojë e tregut më të gjerë evropian. Evropa Qendrore e Lindore mbetet një zonë me rritje ekonomike dhe këto vende mirëpresin me një qëndrim të hapur bashkëpunimin në fushën teknologjike, të kapitaleve dhe të talanteve. Prandaj, tregu i Evropës Qendrore e Lindore është shumë i rëndësishëm për ne për të hyrë në tregun evropian. "
Sipas të dhënave statistikore, në vitin 2011 biznesmenët kinezë investuan në 3391 firma të huaja të 132 vendeve dhe rajoneve të botës, me një vlerë të përgjithshme 60.7 miliardë dollarë.
Me shpalljen e politikave të ndryshme të favorshme dhe me publikimin e 12 masave nga kryeminstri kinez Wen Jiabao, provincat dhe qytetet e ndryshme të Kinës, si Pekini, Shandong-u etj., kanë shfaqur më shumë interes për investime në vendet e Evropës Qendrore e Lindore.
Ndërkaq, gjatë procesit të "daljes jashtë vendit", kompanitë kineze duhet t'i kushtojnë rëndësi edhe "hyrjes brenda" dhe duhet ta lidhin ngushtë objektivin e zhvillimit me lulëzimin ekonomik e shoqëror të vendeve përkatëse, si edhe të përshpejtojnë të ashtuquajturin lokalizim. Zv.ministri i Tregtisë i Kinës Gao Hucheng u shpreh se në të ardhmen Pekini do t'i orientojë sipërmarrjet kineze të integrohen shpejt në vendet përkatëse me përfitime për të dy palët. Ai thekson:
"Ne do të vazhdojmë të nxitim dhe të orientojmë ndërmarrjet kineze të dalin jashtë për të investuar dhe bashkëpunuar në fushat e kërkimit shkencor, manifakturës, rrjetit të marketimit etj., dhe u kërkojmë atyre të shpejtojmë integrimin në vendet përkatëse dhe të përmbushin aktivisht përgjegjësitë e tyre ligjore, shoqërore e morale." (Du/Artani)