"Ai është një njeri tipik i shenjës së peshores, që do të thotë se është i aftë në trajtimin e marrëdhënieve të brendshme dhe të jashtme," shprehet Fang Yi, asistentekzekutiv i Shoqatës së Industrisë së Çorapeve të Yiwu-së, kryetar i së cilës është pikërisht Weng Rongjin-i.
"Edhe pse ai është jashtëzakonisht i zënë, gjithmonë gjen kohë të më ndihmojë sa herë i kërkoj mendim për ndonjë problem," shprehet Fang Yi.
Synimi për të qenë më të mirët në biznesin e çorapeve është nxitësi i Weng Rongjin-it dhe vëllezërve të tij. "Langsha ka konkurrent vetëm veten," shprehet Weng Rongjin-i. "Ne mund të jemi të suksesshëm vetëm në qoftë se jemi gjithmonë të parët. Nuk ka rëndësi se sa ngarkesë të madhe ka puna, nuk ka rëndësi se sa të vështira janë sfidat, duhet të jesh gjithmonë i përkushtuar plotësisht ndaj punës".
"Langsha" është kompania e parë e çorapeve në Kinë që ka zhvilluar markën e vet dhe që ka reklamuar produktet e saj në televizion. Kompania zotëron më shumë se 500 patenta dhe shpenzon më shumë se 3 për qind të të ardhurave vjetore nga shitjet në kërkim e zhvillim.
Sot çorapet e markës "Langsha" shiten në tregjet e Europës Perëndimore, si Belgjikë, Francë, Gjermani, dhe Itali, por edhe në Rusi, Japoni dhe Shtetet e Bashkuara,nëpërmjet më shumë se 100 000 pikave të shitjeve.
Foto nga CFP
"Weng Rongjin-i dhe vëllezërit e tij e nisën biznesin duke shitur produktet tona, por tani ata janë shumë përpara nesh," shprehet Zhou Jiaxi, menaxher i përgjithshëm i kompanisë "Dayong" të Guangzhou-t.
"Ne kemi punuar bashkë prej më shumë se 10 vjetësh dhe e vlerësoj vërtet Weng Rongjin-in për mënyrën se si bën biznes dhe për aftësitë e tij," thekson Zhou.
Njëri nga vëllezërit, Weng Rongdi, shprehet se çelësi i suksesit i "Langsha"-së ka qenë qëndrimi pa kompromis kur vjen fjala te cilësia.
"Në vitin 1996, gjatë një sezoni kulmi të shitjeve, zbuluam se disa qindra mijë palë çorape, me vlerë më shumë se 700 000 juanë (më shumë se 115 000 dollarë amerikanë), kishin disa defekte të vogla. Kur them të vogla, e kam fjalën që shumica e fabrikave as që do t'i quanin ato si defekte. Por im vëlla i dogji të gjitha këto çorape në sy të të gjithë punëtorëve," tregon Weng Rongdi.
Vëllezërit Weng nuk ishin të kënaqur vetëm duke bërë çorape. "Sado që të ngrihemi në zinxhirin e vlerës në industrinë e çorapeve, përsëri vlera e shtuar e çorapeve është shumë e ulët. Kjo është arsyeja pse 'Langsha' u zgjerua në sektorë të tjerë," shprehet Weng Rongjin-i.
Dhe kështu pra, në mënyrë që të zgjeronte biznesin e vet, "Langsha" zgjodhi strategjinë e diversifikimit. Në prill 2005 u themelua Grupi "Langsha" me kapital të regjistruar 70 milionë juanë (ose afro 11.4 milionë dollarë amerikanë). Në vitin 2007 Grupi "Langsha" u listua në Bursën e Shangait.
Foto nga CFP
Weng Rongdi
Sipërmarrjet kryesore të këtij grupi përfshijnë Kompaninë e Çorapeve "Langsha", kompania fillestare, dhe Kompaninë e Veshjeve të Brendshme "Langsha". Kompania e Veshjeve të Brendshme "Langsha" është themeluar në vitin 2006 me kapital të regjistruar 6.6 milionë juanë (pak më shumë se 1 milion dollarë). Sot "Langsha" është edhe ndër sipërmarrjet kryesore të industrisë së prodhimit të veshjeve të brendshme në botë. Ndër kompanitë e tjera të Grupit "Langsha" përfshihen edhe Kompania Ndërkombëtare "Langsha", Kompania e Pasurive të Patundshme "Langsha", Kompania e Kozmetikës "Langfei" dhe Kompania e Tekstileve "Lifu". Aksionet e Grupit Langsha janë të ndara me Wen Guangrong-ut, Wen Rongjin-it dhe Wen Rongdi-së.