PËR NE  VEND PUNE
      
cri albanian.cri.cn
Faqja e parë | Lajme | Kina Sot | Fokus ekonomik | Kultura | Kozmopolit | Shëndeti | Fjala në Lajm | Koment për RJK Muzikë | Revista "Ejani"
Vëllezërit e "mbretërisë së çorapeve"
2014-08-19 16:54:43 CRI Komenti juaj Printoni

Ashtu si edhe Zhou Xiaoguang-u, bashkëthemeluesja e kompanisë "Neoglory", e cila e nisi biznesin duke bërë një udhëtim të gjatë e të mundimshëm me tren nga Kina Juglindore për në Kinën Verilindore, e më pas hapi bashkë me të shoqin një dyqan bizhuterish në qytetin Yiwu, që më vonë u shndërrua në një prej sipërmarrjeve më të mëdha të bizhuterive në botë, edhe vëllezërit Weng po nga qyteti Yiwu bënë një udhëtim të gjatë e rraskapitës me tren në gjysmën e viteve '80 të shekullit të kaluar. Por në ndryshim nga Zhou Xiaoguang-u, ata dështuan në biznesin e shitjes së bizhuterive, megjithatë patën sukses në një tjetër biznes, atë të prodhimit e të tregtimit të çorapeve. E nëse Zhou Xiaoguang-u quhet "mbretëreshë e bizhuterive", kompania e këtyre vëllezërve, "Langsha", quhet "mbret i çorapeve", por mbase më mirë mund të quhej "mbretëri e çorapeve".


Foto nga 张建成 / 东方IC

Vëllezërit Weng, Weng Guangrong, Weng Rongjin dhe Weng Rongdi, kanë lindur në qytetin Yiwu të provincës Zhejiang të Kinës Juglindore. Në vitin 1986, kur ndodheshin për vizitë te të afërmit e tyre në Rajonin Autonom të Xinjiang-Ujgurit, që ndodhet në skajin e përkundërt të Kinës, pikërisht në pjesën veriperëndimore të vendit, ata mësuan se aty bizhuteritë ishin mjaft të pëlqyera.Kjo bëri që t'u shkonte mendja të merreshin me tregtimin e tyre. Dhe kështu të tre vëllezëritu kthyen në Yiwu dhe me disa dhjetëra mijëra juanë të huajtura nga të afërmit blenë bizhuteri të prodhuara në qytetin e tyre dhe u nisën përsëri për në Xinjiang për t'i shitur. Radha para biletarive ku priteshin bileta për trenat që shkonin për në perëndim të Kinës ishte jashtëzakonisht e gjatë dhe të tre vëllezërve iu desh të qëndronin aty për katër ditë e netë me radhë. Kur më në fund zbritën pas ditësh udhëtimi në stacionin e trenit të Urumqit, kryeqendra e Rajonit Autonom të Xinjiang-Ujgurit, këmbët e tyre ishin të enjtura dhe ata nuk mund të ecnin. Sidoqoftë, të rinjtë kishin entuziazmin dhe vendosmërinë për t'u marrë me tregti. Por kjo nuk mjaftonte, sepse ata nuk kishin diçka tjetër, njohuritë e duhura të tregut. Kur shkuan për të shitur mallin e tyre, ata panë që tregu ishte i mbushur plot me bizhuteri e zbukurime të tjera dhe çmimet kishin rënë ndjeshëm. Kështu që vëllezërit u detyruan t'i shisnin bizhuteritë më lirë sesa i kishin blerë, duke humbur 10 mijë juanë. Kjo ishte një shumë tepër e madhe për kohën, po të kesh parasysh që rroga mesatare vjetore e një punëtori në atë kohë në Kinë ishte 400 juanë. Tre vëllezërit u kthyen në qytetin e tyre në kulmin e dëshpërimit.

Më pas njëri prej, Weng Rongjin-i, nisi punë si agjent shitjesh në Yiwu për një kompani prodhimi çorapesh me qendër në provincën Guangdong të Kinës Jugore. Më pas, pas suksesit dhe fitimit të përvojës, Weng Rongjin-i vendoi që të hapë biznesin e vet të çorapeve bashkë me dy vëllezërit e tjerë të vet. Dhe kështu në vitin 1995, me një kapital të regjistruar 14.6 milionë juanë (diçka më shumë se 2.37 milionë dollarë sot), tre vëllezërit Weng krijuan kompaninë e prodhimit të çorapeve "Langsha", duke hapur një fabrikë me sipërfaqe 1000m2

Që prej krijimit të kompanisë së tyre vëllezërit Weng vunë si objektiv që ajo të ishte "mbret i industrisë së prodhimit të çorapeve në Kinë" dhe të krijonte "markën e parë në industrinë kineze të çorapeve."


Weng Guangrong
Foto nga CFP

Pas mbarimit të akumulimit të kapitalit, vëllezërit Weng shfrytëzuan kohën e duhur për të importuar pajisje e makineri të klasit të parë nga ShBA-ja, Japonia, dhe Italia me kapacitet prodhimi ditor një milion palë çorape, pasi e kuptuan se Yiwu do të bëhej një nga qendrat kryesore të industrisë së çorapeve. Pa kaluar shumë "Langsha" u bë prodhuesja numër një e çorapeve në Yiwu dhe më pas në mbarë Kinën. "Langsha" është aktualisht kompania më e madhe në botë për sa i përket kapacitetit të prodhimit të çorapeve, me 8 000 makineri të importuara dhe më shumë se 10 000 punëtorë. Kompania mund të prodhojë më shumë se 4 milion palë çorape në ditë me një vëllim vjetor prodhimi që i tejkalon një miliard juanët dhe me një rritje vjetore që për një kohë të gjatë ka arritur mbi 40%.

Në mesin e tre vëllezërve, Weng Rongjin-i është fytyra më e dukshme e kompanisë.

1 2 3 4
Mrekulli
Komenti im
Forum

Sondazh me dëgjuesit për dy sesionet e vitit 2015 në Kinë

Voto tani, shijo falas më vonë
Artikuj top
Rubrika top
China Radio International.CRI. All Rights Reserved.
16A Shijingshan Road, Beijing, China