Më 19 janar, kryetari i Shtetit i Kinës Hu Jintao e presidenti amerikan Barak Obama zhvilluan bisedime në Shtëpinë e Bardhë. Krerët e të dyja vendeve ranë dakord lidhur me krijimin e marrëdhënieve të partneritetit e bashkëpunimit bilateral, me respekt e me leverdi reciproke duke arritur mendime të rëndësishme unanime për fusha kryesore të bashkëpunimit dypalësh.
Hu Jintao vlerësoi aktivisht bashkëpunimin midis Kinës e SHBA-së në probleme dypalëshe, rajonale e ndërkombëtare dhe theksoi se të dyja palët duhet të shtojnë njohjen e besimin nëpërmjet dialogut e shkëmbimeve për të eleminuar keqkuptimet, duhet të respektojnë zgjedhjet për sistemin social e rrugën e zhvillimit dhe sovranitetin, tërësinë territoriale si dhe interesat e njëri-tjetrit. Në fushën ekonomiko-tregtare, Kina e SHBA-ja duhet të zhvillojnë vazhdimisht koordinimet për politikat makroekonomike duke kërkuar e zgjeruar bashkëpunimin me leverdi reciproke.
Hu Jintao tha gjithashtu se Kina e SHBA-ja duhet të forcojnë bashkëpunimin në probleme të rëndësishme si situata në Gadishullin Korean, problemi bërthamor i Iranit, ndryshimi i klimës etj.
Obama u shpreh se pala amerikane dëshiron të forcojë bashkëpunimin me palën kineze dhe vlerëson lart arritjet e mëdha të zhvillimit të Kinës në dekadat e fundit dhe është e mendimit se këto janë suksese madhështore në historinë e njerëzimit. Bashkëpunimi amerikano-kinez përputhet me interesat e mëdha të të dyja palëve dhe SHBA-ja mirëpret zhvillimin e Kinës. Zhvillimi paqësor i Kinës është në favor të SHBA-së dhe të të gjithë botës.
Duke folur për problemin e Tajvanit, Hu Jintao theksoi se ky problem lidhet me sovranitetin, tërësinë territoriale dhe interesat bërthamore të Kinës dhe është problemi më i ndjeshëm në marrëdhëniet kino-amerikane. Pala kineze shpreson që pala amerikane të përkrahë në mënyrë më të qartë përpjekjet e palës kineze për nxitjen e zhvillimit paqësor të marrëdhënieve midis të dy brigjeve të ngushticës së Tajvanit.
Obama ritheksoi se pala amerikane i përmbahet politikës së një Kine, respekton 3 komunikatat e përbashkëta amerikano-kineze dhe mirëpret përmirësimin e vazhdueshëm të marrëdhënieve midis të dy brigjeve. (Fani)
LINK:
Kinë dhe SHBA, presidentët zhvillojnë bisedime
Ushtritë kineze dhe amerikane përjetojnë "muajin e mjaltit"
Hu Jintao mbërriti në Uashington, fillon vizita zyrtare në SHBA
Turneu akullthyes, diplomacia e Pingpongut
Takimet midis liderëve kinezë dhe amerikanë