Kina: "Jo" taksës së BE-së për karbonin
Me autorizimin e Këshillit të Shtetit të Kinës, Drejtoria e Aviacionit Civil urdhëroi të gjitha kompanitë ajrore kineze që të mos paguajnë taksën për lëshimin e karbonit, të vendosur nga BE-ja, duke i ndaluar njëkohësisht ato të rrisin çmimet e transportit ajror ose të shtojnë pagesat nga ana e udhëtarëve.
Një zyrtar i kësaj Drejtorie u shpreh të hënën në Pekin se ky veprim i njëanshëm i Bashkimit Evropian për të vendosur taksën e karbonit, për gazin me efektin serë të lëshuar nga avionët ndërkombëtarë që qarkullojnë në hapësirën e tij, shkel Konventën Kornizë të OKB-së për Ndryshimin e Klimës dhe parimet e rregullat e Organizatës Ndërkombëtare të Aviacionit Civil.
Lidhur me këtë vendim të palës evropiane, Kina ka shprehur kundërshtimet e veta në plan dypalësh dhe shumëpalësh, duke propozuar që problemi i lëshimit të gazit me efektin serë nga avionët ndërkombëtarë të zgjidhet me anë të bisedimeve në kuadër të OKB-së dhe Organizatës Ndërkombëtare të Aviacionit Civil.
Pekini shpreson që Bashkimi Evropian të gjejë një zgjidhje të pranueshme për të gjitha palët. Ndërkohë, duke u mbështetur në ecurinë e kësaj çështjeje, Kina do të marrë masat e nevojshme për të mbrojtur interesat e konsumatorëve dhe kompanive kineze.
Sfondi
Që nga 1 janari i këtij viti, pa përfillur kundërshtimin e shumë vendeve, BE-ja imponoi zbatimin e taksës së lëshimit të karbonit ndaj kompanive të aviacionit civil. Tani 26 vende, duke përfshirë Kinën, SHBA-në dhe Rusinë theksuan se kjo politikë e Brukselit nuk është e drejtë dhe mbi të gjitha është e paligjshme.
Sipas mediave indiane, këto 26 vende do të mblidhen në Moskë më 21 shkurt, që të diskutojnë për unifikimin e qëndrimit dhe veprimit përballë sistemit të BE-së mbi taksën e lëshimit të karbonit të aviacionit.
Në nëntor të vitit 2008, BE-ja miratoi një projektligj që ta përfshinte aviacionin ndërkombëtar në sistemin e taksës së lëshimit të karbonit të BE-së dhe që nga 1 janari 2012 të marrë atë për të gjithë avionët që qarkullojnë në hapësirën e BE-së. Brukseli deklaroi se kjo masë synon të ulë efektin me qëllim për shmangien e ngrohjes globlale.