6. Portokalli
Portokalli është e pasur me vitamina A, B, C, P, me kripëra kalciumi, fosfor etj. Lëngu i portokallit, i konsumuar me ose pa sheqer, ose me gaz karbonik, është freskues. Nga lëvozhga e portokallit del vaj eterik shumë i mirë, i cili gjen përdorime të shumta në prodhimin e pijeve, aromave, ilaçeve etj. Lëngu i portokallit ka veti diuretike dhe antiseptike (që ndalon kalbëzimin ose pengon zhvillimin e mikroorganizmave), e përdoret me sukses në luftimin e sëmundjeve të veshkave, edhe në rastet kur janë formuar gurë në to, në sëmundjet e mëlçisë dhe në ato të zemrës dhe të enëve të gjakut. Lëngu i portokallit, duke i shtuar pak sheqer, pëlqehet edhe nga fëmijët e vegjël dhe këshillohet të përdoret qysh në muajin e tretë pas lindjes. Portokallet përdoren me efekt të mirë në luftimin e anemisë, duke pasuruar gjakun me elemente të reja. Portokalli ka përmbajtje të lartë të vitaminës C. Kjo vitaminë merr pjesë në shumë procese të shkëmbimit të lëndëve në organizëm. Lëvozhgat janë të pasura me elemente aktive dhe lëngu i fituar nga zierja e tyre përdoret edhe në rastet e çrregullimeve të stomakut dhe të zorrëve.
7. Mandarina
Në mjekësinë popullore përdoren frutat, lëvozhgat e frutave, gjethet, lulet. Fruta e mandarinës është shumë e këndshme dhe aromatike. Ajo është e pasur me vitamina A, B, C dhe sheqerna. Nga lëngu i frutave prodhohet mandarinadë shumë e shijshme. Mandarinat janë ndër agrumet më të pëlqyeshme falë aromës dhe përmbajtjes më të lartë të sheqerit. Ato janë tretëse, freskuese dhe lëngu i tyre është i pranueshëm edhe nga stomaku i fëmijëve. Në sajë të përmbajtjes së vitaminave, si dhe të një sasie të konsiderueshme hekuri, mandarinat përbëjnë një ushqim shumë të përshtatshëm për pastrimin e gjakut dhe për luftimin e anemisë. Mjekimi me mandarina vazhdon 20-25 ditë, duke konsumuar çdo ditë nga 10-15 kokrra ose edhe më shumë. Lëvozhgat e frutave, gjethet, lulet kanë po ato përdorime si te portokalli. Nëse ato zihen dhe pihen si lëng në formë çaji, kur ky lëng pihet i ngrohtë, bën mirë në rrugët e sipërme të frymëmarrjes, kur ka acarime në grykë apo zënie zëri.