20130719shendetfruta |
Të pasura me vitamina, oligo-elemente dhe minerale; frutat përfaqësojnë thesare të vogla për shëndetin. Sidomos në periudhën e dimrit, frutat e thata janë një burim i vitaminave të çdo lloji që ju japin energji dhe forcë.
Frutat e thata kanë një efekt mbrojtës në trup, ata mbrojnë sistemin tonë imunitar dhe ulin nivelin e kolesterolit. Studimet kanë dëshmuar se ato kanë efekte të dobishme në zemër dhe parandalojnë sëmundjet kardiovaskulare.
Falë pranisë së vitaminës B dhe magneziumit, ato rregullojnë sistemin nervor dhe përmirësojnë moralin. Ato kanë përmbajtje të lartë antioksidantësh dhe për pasojë luftojnë kundër plakjes, duke mbrojtur qelizat.
Që në lashtësi është zbuluar efekti kurues i frutave. Aktualisht, më së shumti janë këshilluar frutat e njoma, por edhe ato të thata, në rast se dini mënyrën e përdorimit janë po aq të efektshme sa edhe "të gjalla". Madje, disa prej tyre, kur merren të thata janë disa herë më kuruese për shumë lloje sëmundjesh.
1. Pjeshka
Për qëllime mjekësore përdoren gjethet, lulet, frutat dhe farat e pjeshkës. Të gjitha pjesët e bimës kanë shije të hidhur, sepse përmbajnë acid cianhidrik dhe duhet kujdes i posaçëm. Frutat përdoren të freskëta dhe të përpunuara. Ato kanë vlera të larta ushqyese e kuruese; përmbajnë rreth 10 për qind sheqerna, acide organike, pektinë, vitaminë C dhe R me shumicë, sasi të pakta provitaminë A, vitaminë B1, B2, PP, kripëra minerale, lëndë aromatike etj.
2.Shega
Në mjekësinë popullore përdoren frutat dhe lëvozhgat e tyre, lulet, farat, rrënjët dhe lëvorja e degëve dhe e rrënjëve, e cila ka shije të athët dhe erë. Shega me farat e saj të kuqe është një frut i shijshëm por edhe shumë i vlefshëm për organizmin e njeriut. Ajo është konsideruar si frut i fertilitetit. Lëngu i shegës përmban mesatarisht 12 për qind sheqer, acide organike, pektinë, vitaminë C etj. Lëngu dhe vaji i nxjerrë nga farat e shegës është një antioksidant i fuqishëm. Vetëm 30 minuta pas marrjes së lëngut të shegës aktiviteti ynë rritet me 32 për qind. Lëngu i shegës shuan etjen, nxit oreksin dhe përmirëson tretjen e ushqimeve. Ai përdoret me sukses në sëmundjet e stomakut dhe të zorrëve, është freskues dhe mënjanon helmet e organizmit. Lëngu i shegës jep rezultate në luftimin e parazitëve që zhvillohen në zorrë. Lulet e shegës përmbajnë taninë dhe kanë veti rrudhëse e tonike; ato rekomandohen në dhimbjet e barkut, në hemorragji, në hemorroidet, si dhe për gargara të gojës, kundër ënjtjes së bajameve dhe acarimeve të mishrave të dhëmbëve.