Sipas tij, duke qenë se nuk ka asnjë efekt negativ, mund të thuhet se është një nga terapitë më të suksesshme të kurimit të dhembjeve.
Po ashtu, efekti i masazheve "me kruarje", ndihmon në eliminimin e toksinave të organizmit, të cilat janë të dëmshme për shëndetin.
Por jo vetëm kaq, efekti tjetër pozitiv i masazheve është relaksimi. Sipas mjekëve, ky proces nuk ndikon vetëm në rehabilitimin, por në të njëjtën kohë edhe në krijimin e antitrupave për rritjen e sistemit mbrojtës të organizimit.
"Ndër sëmundjet kryesore mjekësia tradicionale kuron spondiliartrozën, sëmundjet e mesit, herniet diskale, si dhe një pjesë të mirë të sëmundjeve reumatizmale".
Edhe mjeku kinez, gjatë kësaj kohe, ka evidentuar se nga reumatizma vuajnë një pjesë e mirë e shqiptarëve, për të mos thënë të gjithë.
Duke ditur edhe shkaqet që të çojnë në këtë sëmundje, mjeku kinez thotë se të gjithë ne duhet të jemi pak më të kujdesshëm duke nisur që nga veshja.
"Për kinezët, këmba është zemra e dytë. Prandaj ato duhet të jenë të veshura mirë, në mënyrë që i ftohti të mos depërtojë në trup. Shembulli i kinezëve duhet të na vlejë edhe ne. E thënë më qartë, nuk duhet të shqetësohemi vetëm për sëmundjet kardiovaskulare, por edhe për ato të cilat të prekin si pasojë e lagështirës apo e të ftohtit të akumuluar prej kohësh.
Askush nuk e duron dhimbjen dhe lodhjen e në këto kushte mundohet të gjejë një zgjidhje. Dikush pi ndonjë ilaç, dikush tjetër zë shtratin, por ka edhe nga ata që bëjnë masazhe kineze. Këtë të fundit jo të gjithë munden ta shijojnë edhe pse ky lloj masazhi nuk është vetëm relaksues, por edhe kurues.
Në Shqipëri ky trajtim ka filluar të njihet dhe praktikohet vetëm pas vitit 2005.
Koordinatori i Mjekësisë Tradicionale Kineze në klinikën Pro-Life, Petrit Karaj shpjegon në lidhje me praktikantët e masazhit kinez dhe vlerat që ka ky trajtim.
"Masazhin kinez e preferojnë femrat dhe meshkujt sidomos ata që kanë probleme, duke ditur se përveç relaksimit ka edhe kurimin e personit. Sigurisht që njerëzit që vijnë këtu kanë informacion për masazhin dhe terapinë kineze.
Më tej ai shpjegon se ata që praktikojnë këtë trajtim kanë gjendje të mirë ekonomike. Masazhi kinez sipas koordinatorit bëhet 30 minuta. Në përgjithësi zgjedhin 30 minuta, por ka edhe nga ata që duan 1 orë të plotë nga masazhi kinez dhe praktikohet dy ose tre herë në javë masazhi kinez.
Doktorët kinezë, Li Ming Zhu dhe Xiu Fang Yang që e praktikojnë masazhin në Shqipëri.
"Në Shqipëri fillimi ishte shumë i vështirë, sepse nuk njihej kultura e masazhit kinez, por nga viti në vit po praktikohet më shumë. Ka pasur edhe ndonjë, i cili pasi ka ardhur vetë ka sjellë gjithë familjen për të bërë masazh kinez", pohon Li Ming Zhu.
Ndërkohë ai pohon se ekziston një marrëveshje mes Ministrisë së Shëndetësisë dhe Kinës për zhvillimin e mjekësisë tradicionale kineze që në vitin 2009 dhe shpresojnë që kjo marrëveshje një ditë të gjejë zhvillim që të hapet një shkollë kineze dhe të bëhen specializime për të gjitha specialitetet kineze.