Në një artikull të fundit në faqen zyrtare të Organizatës Botërore të Shëndetësisë thuhet seantibiotikët vrasin bakteret dhe jo viruset. Antibiotikët nuk kanë asnjë efekt mbi sëmundjet me natyrë virale. Viruset, për të cilët antibiotikët nuk ndikojnë, shkaktojnë 9 ndër 10 raste probleme me fytin dhe grip. Marrja e antibiotikëve pa qenë e nevojshme dobëson aftësinë e tyre për të punuar kundër infeksioneve në momentin që nevojiten. Pra, përdorimi i panevojshëm dhe pa kriter i antibiotikëve mund të na shkaktojë probleme me shëndetin, pasi bën që bakteri të krijojë rezistencë ndaj antibiotikëve.
Në Ditën Europiane të Vetëdijesimit për Antibiotikë, Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) i këshillon qytetarët të përdorin antibiotikë vetëm kur këshillohen nga mjeku specialist.
"Që nga moment i zbulimit të tyre 70 vjet më parë, antibiotikët kanë pasur një rëndësi jetike për ne, pasi na kanë ndihmuar të luftojmë infeksionet bakteriale, të cilat mund të kenë qenë fatale për jetën tonë. Përdorimi i antibiotikëve – dhe vaksinave – kanë rritur jetëgjatësinë tonë në deri 20 vjet," shprehet znj.Zsuzsanna Jakab, Drejtoresha rajonale e OBSH-së për Europën.
"Nëse duam ta ruajmë këtë mrekulli mjekësore, duhet të kuptojmë kohën kur punojnë dhe kur jo antibiotikët, dhe të veprojmë në përputhje me rrethanat."
Ndërgjegjësimi i ndikimeve që ka mbipërdorimi dhe keqpërdorimi i antibiotikëve po rritet gjithnjë e më shumë në botë, megjithatë, ende në disa vende antibiotikët merren pa përshkrimin e mjekut. Nga një studim i OBSH-së ka rezultuar se gjysma e të gjitha medikamenteve –përfshi këtu edhe antibiotikët – jepen dhe shiten pa kriter, ndërkohë që gjysma e pacientëve nuk e marrin si duhet mjekimin. Kjo bën që të rritet rezistenca e antibiotikëve, duke zvogëluar numrin e antibiotikëve efektivë. Përvec kësaj, fakt tjetër alarmant është se në 25 vitet e fundit nuk është zbuluar asnjë klasë e re antibiotikësh, pavarësisht përpjekjeve për kërkime shkencore.
Problemi ka shkaktuar dëme të mëdha jo vetëm në shëndetësi por edhe efekte të mëdha ekonomike si për individin ashtu edhe për shoqërinë, pasi infeksionet rezistente mund të jenë mbi 100-fish më të kushtueshme për t'u trajtuar. Infeksionet e pakurueshme apo të vështira për trajtim gjejnë shumë raste në Europë. Cdo vit, mbi 80 mijë njerëz sëmuren me tuberkuloz, që është rezistent ndaj antibiotikëve. Kohët e fundit, disa vende të zhvilluara evropiane kanë raportuar raste të cephalosporin- gonorrhea rezistente, e cila është tepër e vështirë për t'u trajtuar.