Në këto kushte, një nga kërcënimet kryesore në Rajon mbetet përhapja e baktereve që janë rezistente ndaj antibiotikëve të familjes carbapenems. Këto antibiotikë janë e vetmja kurë në dispozicion për sëmundje të tilla serioze si Escherichia coli bacteria.
E. coli mund të shkaktojë gastroenteritis, infeksion në rrugët urinare dhe disa sëmundje si meningjiti dhe pneumoni.
Ekspertët në Shqipëri: Përdorimi i antibiotikëve në 50 % të rasteve, i gabuar
Përdorimi i antibiotikëve në 50 % të rasteve nuk është i duhuri, bëri të ditur pak kohë më parë për mediat Silva Bino, shefe e Departamentit të Kontrollit të Sëmundjeve Infektive në Institutin e Shëndetit Publik. Kjo ndodh, pasi, sipas saj, "ka mungesa lidhur me edukimin për përdorimin e antibiotikëve, mungojnë mekanizmat e kontrollit të përdorimit të antibiotikëve nëpër spitale dhe ka një tendencë me zhvillimin e ekonomisë që të përdoret gjithmonë antibiotiku më i shtrenjtë". "Arsye tjetër është dhe përdorimi i antibiotikëve pa kriter, si rezultat i përdorimit pa recetë të antibiotikëve dhe të gjitha këto sjellin antibiotiko-rezistencën", tha Bino. ISHP-ja ka kryer dy studime të kufizuara, në të cilat ka rezultuar që gati 30 % e plagëve operatore janë të infektuara dhe 20-30 % e tyre kanë antibiotiko-rezistencë. Ndërkohë, gjatë një studimi tjetër në lidhje me një mikrob që quhet stafilokok, në të gjitha sallat dhe plagët operatore në disa spitale të vendit ka rezultuar me një përqindje të lartë rezistencë në 30 %. "Rezistenca varion nga njëri vend në tjetrin, ndërsa këto shifra nuk janë vetëm shqiptare, por të ngjashme me vendet e rajonit", tha Bino. Ajo apeloi për kujdes me përdorimin e antibiotikëve, pasi rrisin kostot, ditëqëndrimin në spital, vdekshmërinë, aspekte këto që dëmtojnë jetën e pacientit dhe komunitetit, por dhe ekonominë e vetë personave.
Ministria e Shëndetësisë do të kalojë në sajte recetat e mjekëve, të cilet japin antibiotikë pa kriter, por edhe të gjitha farmacitë që japin antibiotik pa recetë.
Sipas studimeve te kryera, rreth 50 për qind e antibiotikëve që përshkruhen nëpër receta jepen në mënyrë të gabuar pa qenë e nevojshme, ndërkohë që një pjesë e mirë buxhetit shkon për antibiotikët duke lënë sëmundjet e tjera pa trajtuar.
Drejtori i Politikave në Ministrinë e Shëndetësisë Pëllumb Pipero shprehet se do të ngrihet një task forcë për të frenuar përdorimin e antibiotikëve të panevojshëm.
"Shumë farmacistë apo farmaci japin antibiotikë pa recetë. Po ashtu ka edhe shumë mjekë që në mënyrë të papërgjegjshme përshkruajnë antibiotikë me një copë letër xhepi dhe jo me recetë. Të gjitha rastet që do të konstatohen do të jenë në fokus të task forcës për të mundësuar që të mos abuzohet me antibiotikët. Më shumë se 45 për qind e fondit të medakimenteve në sistemin tonë shëndetësor e marrin antibiotikët në mënyrë abuzive dhe ne lëmë pa trajtuar sëmundje të tjera shumë të rëndësishme për qytetarët", thotë Pipero.
Antibiotikët jepen në mënyrë abuzive nga mjekët e familjeve kryesisht, por shpesh edhe në shërbimin spitalor.
Për të nisur një fushatë kundër përdorimit të antibiotikëve Minsitria e Shëndetësisë dhe Instituti i Shëndetit Publik kanë organizuar një aktivitet në ambient të hapur për të sensibilizuar qytetarët për t'i thënë ndal përdorimit të antibiotikëve.