20150719aksioneve |
Kohët e fundit, në tregun e kapitaleve të Kinës dhe veçanërisht në tregun e aksioneve pati lëkundje të mëdha. Sektorët përkatës kinezë kanë marrë një sërë masash për stabilizimin e tregut të kapitaleve. Çfarë rëndësie ka një treg i qëndrueshmëm i kapitaleve për ekonominë kineze? A është i rrallë në botë shpëtimi i tregut të aksioneve nga qeveria? Si janë lidhjet midis tregut kinez të kapitaleve dhe ekonomisë botërore? Në programin e sotëm do t'ju flas për këto.
Rëndësia e stabilizimit të tregut të aksioneve për ekonominë kineze
Rënia është një gjë normale për tregun e aksioneve, por kësaj here në tregun e aksioneve A të Kinës, treguesi u ul aq shpejt sa shënoi rekord historik. Gjatë 10 ditëve të punës, pati rënie prej 30%. Kjo u shkaktua nga paniku i paarsyeshëm dhe nuk përjashtohet nga manipulimi ilegal.
Përballë rënies së vrullshme të tregut të aksioneve A, qeveria kineze mori masa urgjente për shpëtimin e tregut, për frenimin e panikut të paarsyeshëm dhe për hetimin e manipulimit të paligjshëm. Specialistët janë të mendimit se këto masa kanë rëndësi të madhe për stabilizimin e tregut të aksioneve.
Xu Weihong, kryeekonomisti i kompanisë së letrave me vlerë Zhonghang, tha se gjatë periudhës së ndryshimit të strukturës ekonomike kineze, tregu i aksioneve ka luajtur rol të pazëvendësueshëm.
"Tregu i aksioneve është një pjesë e pashmangshme në eknominë e ardhshme kineze. Ai po luan një rol të pazëvendësueshëm në përkrahjen e zhvillimit të ekonomisë reale, në nxitjen e shndërrimit të sistemit monetar nga financimi i tërthortë në financimin e drejtpërdrejt dhe në nxitjen e përshkallëzimit të industrisë kineze nga 'Made in China' në 'Novacioni i Kinës'."
Meqenëse tregu i aksioneve ka një rol të madh, qëndrueshmëria e këtij tregu ka rëndësi të veçantë për ekonominë kineze. Studiuesi i Qendrës së Shkëmbimeve Ekonomike Ndërkombëtare të Kinës Wang Jun është i mendimit se masat qeveritare për stabilizimin e rendit financiar i dhanë besim zhvillimit të ekonomisë kineze.
"Vetëm me stabilizimin e tregut financiar pritet një shoqëri e qëndrueshme, pra stabiliteti financiar krijon besim për zhvillimin e ekonomisë kineze."
Shpëtimi i tregut të aksioneve nga qeveria është një masë normale
Në kohën kur ndodhi tronditja e madhe në tregun financiar, ndërhyrja imediate e qeverisë është një masë normale dhe ka patur shumë raste të tilla në historinë financiare. Zv/drejtori i Institutit Kërkimor të Financës dhe të Letrave me Vlerë pranë Universitetit Renmin të Kinës, Zhao Xijun tha:
"Duke i hedhur një vështrim historisë gjatë dekadave të fundit, kur ndodhin lëkundje të mëdha dhe ekzistojnë rreziqe të mëdha në tregun financiar të një shteti a rajoni, qeveritë përkatëse ndërhyjnë. Si P.Sh. gjatë krizës financiare të vitit 1997, të gjitha vendet e Azisë Juglindore ndërhynë në tregun e tyre financiar. Në vitin 2008, kur kriza e pasurive të paluajtshme u shndërrua në krizë monetare, në tregun amerikan të aksioneve u shënua një tronditje e madhe dhe qeveria amerikane bëri shumë për shpëtimin e tregut. Në Evropë raste të tilla mishërohen shumë qartë në krizën e Greqisë."
Sigurisht, përsa i përket shpëtimit të tregut të kapitaleve, Kina është ende e brishtë dhe në këtë drejtim duhet të mësojë nga përvoja e vendeve të zhvilluara perëndimore në pengimin e rreziqeve të tregut të kapitaleve. Të marrim si shembull ShBA-në, me sistemin më të përsosur të tregut. Parandalimi i përhapjes së panikut në tregun e kapitaleve është një nga detyrat e rëndësishme të sektorit kontrollues të qeverisë, ndërsa në ShBA ndërgjegjëshmëria për këtë ka kaluar një proces nga mosndërhyrja në ndërhyrjen aktive e pozitive.
Në krizën e tregut të aksioneve të vitit 1929, sektori i kontrollit të qeverisë amerikane nuk ndërhyri shumë dhe si pasojë, u prish tregu i aksioneve i tërë botës. Shumë historianë janë të mendimit se ardhja në fuqi e Hitlerit dhe shpërthimi i Luftës së Dytë Botërore kanë lidhje të ngushta me shkatërrimin e tregut të aksioneve në vitin 1929.
Si rishqyrtim për katastrofën e aksioneve të vitit 1929, qeveritë amerikane të mëvonshme i kanë kushtuar gjithnjë e më shumë rëndësi kontrollit të tregut të kapitaleve. Pas Luftës së Dytë Botërore, ShBA-ja ka kaluar dy tronditje të mëdha aksionare. Njëra ndodhi në vitin 1987, kur Greenspan ishte presidenti i Bordit të Anëtarëve të Sistemit të Rezervës Federale të SHBA-së (FRS). Greenspan ndërhyri menjëherë dhe tregu amerikan i aksioneve u rimëkëmb shpejt, me pagesën prej vetëm qindra miliardë dollarësh.
Më shumë veprime për shpëtimin e tregut të aksioneve u morën gjatë krizës së kredisë së pasurive të paluajtshme në vitin 2008, kur tregu i aksioneve pati një ulje prej 50% gjatë 3 muajve. Më vonë, qeveria amerikane dhe FRS filluan veprimet e shpëtimit në masa supreme, me shumën e përgjithshme prej 30 trilionë dollarësh.
Sigurisht, shpëtimi i tregut të aksioneve nga qeveria ka ngjallur shumë debate, veçanërisht në ekonomitë me treg të lirë. Sipas mediave amerikane, në vitin 2008, sekretari i atëhershëm amerikan i Thesarit Paulson, i shtjelloi mendimet e tij kryetarit të Dhomës së Kongresmenëve, duke u ulur në gjunjë, për të siguruar miratimin e një projektligji përballë përhapjes së krizës.
Kësaj here, veprimet e qeverisë kineze për shpëtimin e tregut të aksioneve nuk mund të krahasohen me ato të ShBA-së në vitin 2008, as me ato të vitit 1987. Por masat e marra nga qeveria kineze janë të domosdoshme dhe vlerësohen nga palët. Kjo është një provë për tregun e ri kinez të kapitaleve dhe është e domosdoshme për ekonominë kineze gjatë procesit të kërkimit të modelit të ri të zhvillimit.
Stabilizimi i tregut kinez të kapitaleve është në favor të ekonomisë botërore
Këshilltari i parë i kompanisë së letrave me vlerë Haitong, Xia Lijun është i mendimit se stabilizimi i tregut kinez të kapitaleve është faktor i rëndësishëm edhe për perspektivën e zhvillimit të ekonomisë globale. Raste të tilla gjenden në historinë e financës botërore.
"Në procesin e integrimit të ekonomisë globale, lëkundja e tregut të kapitaleve të një vendi do të ushtrojë ndikim të drejtpërdrejtë edhe mbi ekonominë botërore. Si P.Sh., kriza e Greqisë dhe kriza e borxheve të vendeve eropiane kanë ngjallur tronditje në tregjet të aksioneve europiane, amerikane e madje aziatike. Si ekonomia e dytë botërore, stabiliteti i tregut të aksioneve do të luajë një rol të madh për qëndrueshmërinë e tregut globale të letrave me vlerë dhe madje për rendin financiar dhe ekonomik global."
Sigurisht, Kina pritet të integrohet më tej në tregun botëror të kapitaleve, megjithatë, ndikimi i tregut të aksioneve të Kinës ka ushtruar një ndikim
jo për t'u shpërfillur mbi ekonominë botërore. Në fakt, ca ditë pas rënies së vrullshme të tregut kinez të aksioneve A, pati ulje të dukshme edhe çmimi i mallrave me kontrata me zbatim të ardhshëm dhe u dukën lëkundje të mëdha në tregun e aksioneve të vendeve aziatike.
Ky është një reagim i natyrshëm. Sepse si vend nr.1 i tregtisë së jashtme në botë, problemi në tregun e kapitaleve të Kinës ndikon mbi ekonominë reale, ndaj çdo vend që ka lidhje tregtare me Kinën preket negativisht.
Sipas një eksperimenti të FRS-it në vitin 2013, nëse ekonomia kineze do të ngadalësohet në masë të madhe, do të bjerë në vështirësi ekonomia e Azisë dhe madje edhe ajo e ShBA-së. Pra, veprimet e qeverisë kineze për shpëtimin e tregut të kapitaleve kanë ushtruar ndikime edhe në vende të tjera dhe janë të favor të stabilitetit të ekonomisë botërore. (Wang Lei)
LINK:
Aksionet kineze rriten me përkrahjen e qeverisë
Kina merr masa për rivendosjen e besimit në tregun aksionar
Rënie aksionesh në bursat kineze
Kina vendos kufizime tregtare për indeksin e aksioneve
Kina merr masa për të mbajtur të qëndrueshëm tregun e aksioneve