20140511kino-afrikan |
Vizita e ditëve të fundit e kryeministrit kinez Li Keqiang në 4 vende afrikane ka tërhequr vëmendjen e opinionit. Sivjet është 50-vjetori i vizitës së kryeministrit të ndjerë kinez Çu En Lai në Afrikë. Gjatë kësaj periudhe 50 vjeçare, në Kinë dhe Afrikë kanë ndodhur ndryshime kolosale, si dhe në arenën ndërkombëtare politike dhe ekonomike. Kjo vizitë e kryeministrit Li, e para e tij në Afrikë pas marrjes së kësaj detyre, vlerësohet si një turne me rëndësi të madhe për çuarjen përpara të bashkëpunimit kino-afrikan në epokën e re.
Në fjalimin e mbajtur më 5 maj në selinë e Bashkimit Afrikan, në kryeqytetin e Etiopisë Adis Abeba, Li Keqiang vuri në dukje, "Afrika e sotme është një kontinent plot gjallëri. Ajo është poli i rëndësishëm i arenës politike botërore, poli i ri i rritjes së ekonomisë globale dhe gjithashtu poli shumëngjyrësh i civilizimit të njeriut."
Ashtu siç tha kryeministri Li, në arenën ndërkombëtare politike, Afrika është bërë një forcë e rëndësishme për nxitjen e shumëpolarizimit të botës dhe të demokratizimit të marrëdhënieve ndërkombëtare. Në OKB, Afrika disponon 54 vende, mbi 1/4 e numrit të përgjithshëm të anëtarëve të kësaj organizate, ku për miratimin e çështjeve të rëndësishme duhen vota pro të 2/3 anëtarëve, pra, pa përkrahjen e Afrikës është vështirë të miratohen çeshtjet e mëdha.