20150616HP |
Pan Gang-u, kryetar i bordit dhe kryezyrtar ekzekutiv i Grupit Industrial "Yili" i Mongolisë së Brendshme e ktheu një fabrikë të vogël qumështi të lënë pas dore në një ndër dhjetë kompanitë kryesore të produkteve të qumështit në botë dhe që synon që deri në vitin 2020 të jetë ndër pesë kompanitë më të mëdha globale.
Pan Gang-u ka lindur në vitin 1970 në një familje mësuesish në Duolun, një konte e vogël në kullotën e madhe të Rajonit Autonom të Mongolisë së Brendshme në Kinën Veriore. Në moshën 18-vjeçare, pas përfundimit të shkollës së mesme, Pan Gang-u filloi studimet e larta në Universitetin Bujqësor të Mongolisë së Brendshme.
Pan Gang
Pas diplomimit në vitin 1982, Pan-i filloi punën si inspektor cilësie në Fabrikën e Produkteve të Qumështit të Pakicës Kombëtare Hui në Huhhot, paraardhësja e kompanisë "Yili", biznesi kryesor i së cilës në atë kohë ishte prodhimi i akulloreve.
Pan Gang-u nuk e priste kurrë që përvoja e tij në kontrollin e cilësisë do të shndërrohej në një nga faktorët kyç për suksesin e tij si drejtues i një fabrike qumështi atëherë të prapambetur e të lënë pas dore.
"Puna e kontrollit të cilësisë gjithashtu më mundësoi të marr njohuri lidhur me të gjitha proceset e prodhimit, të cilat më vonë më ndihmuan në punën tim menaxhuese", vëren Pan Gang-u.
Kur "Yili" hasi problemin e mungesës së furnizimit me qumësht, ndërsa vazhdonte të merrej kryesisht me prodhimin e akulloreve në vitin 1993, në këtë kompani e kuptuan se qumështi mund të ishte produkti ku mund të kishte rritje e zhvillim të mëtejshëm.
Po atë vit dhjetë kompanitë kryesore të furnizimit me qumësht në Kinë ishin të gjitha të fokusuara në prodhimin e qumështit pluhur.
"Qumështi, pavarësisht se në ç'formë është, qoftë lëng apo pluhur, ishte një ushqim i veçantë sidomos për fëmijët dhe të moshuarit në atë kohë në Kinë", vë në dukje Pan Gang-u. "Ende më kujtohet se, kur më lindi fëmija i parë në vitin 1997, mora qumësht të freskët drejtpërdrejt nga stallat e lopëve që kishim afër".
Në vitin 1999 Pan Gang-u u emërua kryemenaxher i departamentit të qumështit të lëngshëm të "Yili"-së, që sapo ishte krijuar.
"Që prej asaj kohe," thekson Pan Gang-u, "m'u dha mundësia për ta bërë ëndrrën time realitet: shndërrimin e qumështit në një pije të përditshme për të gjithë, dhe jo një ushqim të veçantë dhe të kushtueshëm."
Pan Gang-u e përdori përvojën e vet në të kaluarën në kontrollin e cilësisë për të siguruar cilësinë e qumështit me të cilën furnizohej "Yili".
"Yili" u dha kredi fermerëve të varfër për të blerë lopë, me një vlerë që ka arritur miliarda juanë.
"Megjithatë, kur fermerët filluan t'u kushtonin më shumë rëndësi fitimeve afatshkurtra sesa cilësisë së qumështit, kjo e fundit ra," shprehet Pan Gang-u. "Prandaj, ne filluam të kishim si përparësi cilësinë dhe sigurinë e produkteve tona, veçanërisht të qumështit, kosit dhe akulloreve."
Pan Gang-u e nisi me burimin: lopët dhe barin me të cilin ushqeheshin ato.
"'Yili' është kompania e parë e produkteve të qumështit që mendoi për të pasur në pronësi ferma me kullotat dhe mjedisin më të mirë, për të pasur në këtë mënyrë edhe qumështin më të mirë," vëren me krenari Pan.
Aktualisht "Yili" zotëron tre prej bazave blegtorale më të mira në Kinë: kullotat Hulun Buir dhe Xilin Gol në Mongolinë e Brendshme dhe kullotën Duer Bote në provincën Heilongjiang. Kullotat janë gjithashtu pjesë e planit të Pan Gang-ut për t'i lënë lopët të kullosin të lira, në vend që të kufizohen në stallë. Ky model u përhap më pas në të gjithë industrinë e qumështit të Kinës.
"Yili" ka shpenzuar deri tani miliarda juanë në kullota dhe ferma për të siguruar qumështin e vet të papërpunuar të cilësisë së lartë.
Pan Gang-u u bë kryetar i bordit dhe kryeekzekutiv i "Yili"-t në vitin 2005 dhe që prej atëherë kompania është bërë prodhuesi më i madh i qumështit në Kinë, me pjesën më të madhe të të ardhurave nga qumështi i lëngshëm.
"Kur departamenti i qumështit të lëngshëm u krijua në vitin 1999, ai kontribuonte jo më shumë se vetëm 100 milionë juanë për 'Yili'-n", thotë Pan. Megjithatë, kjo shifër u rrit në mbi 500 milionë juanë në fund të vitit 2000 dhe 1.2 miliardë juanë në vitin 2001, 2.4 miliardë në vitin 2002 e kështu me radhë.
Nën drejtimin e Pan Gang-ut, "Yili" ishte gjithashtu sipërmarrja e parë në industrinë e prodhimit të qumështit në Kinë që përdori kartona "Tetra Pak" për të paketuar qumështin e freskët dhe për ta zgjatur jetën e tij në raftet e dyqaneve e supermarketeve nga vetëm disa ditë në tetë muaj.
"Një gjë e tillë e ndihmoi 'Yili'-n të zgjerohet nga Mongolia e Brendshme në mbarë vendin", thotë Pan Gang-u. "Për më tepër, me besimin që për një kohë të gjatë kemi pasur te cilësia, kemi fituar emër për cilësinë e shkëlqyer në tregjet brenda dhe jashtë Kinës."
Në vitin 2001 "Yili" u bë e para firmë kineze e prodhimit të qumështit që nisi t'i eksportojë prodhimet e saj, të cilat i tregton tashmë në më shumë se 20 vende dhe rajone.
"Edhe sot e kam zakon gjithmonë të kontrolloj cilësinë e proceseve të ndryshme në grupin tim," rrëfen duke buzëqeshur Pan Gang-u.
"Yili" është e vetmja kompani kineze prodhuese e qumështit që ka sponsorizuar dy nga veprimtaritë më të mëdha të organizuara në Kinë vitet e fundit: Lojërat Olimpike të Pekinit 2008 dhe Ekspozitën Botërore të Shangait të zhvilluar dy vjet më vonë, 2010.