Gjithashtu, gjatë ditës së 30 shtatorit, Presidenti Topi dhe Zonja e Parë, Teuta Topi vizituan disa prej vendeve historike dhe kulturore më të rëndësishme të Shangait: Muzeun e Shangait, ku u ndal veçanërisht në pavijonin që ekspozon gjetje arkeologjike të periudhës parahistorike të bronzit dhe në atë të qeramikës, me objekte që u përkasin dinastive Ming dhe Qing përgjatë shekujve XV-XX; Lagjen e Vjetër kulturore "Tianzi Fang", Muzeun e Historisë së Natyrës dhe të Zhvillimit Urban si dhe Kullën Televizive moderne "Perla e Lindjes". Gjatë gjithë këtyre vizitave, Presidenti Topi, në krye të delegacionit zyrtar shqiptar, i pritur nga një atmosferë të ngrohtë e dashamirëse, u njoh me momente të rëndësishme e fakte interesante të historisë së vjetër dhe asaj moderne të zhvillimit të qytetit të Shangait, duke krijuar kështu mbresa dhe përshtypjet nga më të mirat, të shprehura dhe në librin e përshtypjeve të vendeve të vizituara.
Presidenti Topi në Muzeun e Historisë së Zhvillimit Urbanistik të qytetit të Shangait.