Pasi ndoqi ceremoninë e festimit të 61-vjetorit të Republikës Popullore të Kinës dhe pasi pa me vëmendje e interes stendat dhe ekspozimet në Pavijonin e Kinës – një dritare për njohjen e kulturës, mendësisë dhe parimeve moderne kineze, ku binte në sy shpalosja e "Mençurisë kineze në zhvillimin urban", – Presidenti Topi u përshëndet nga afër dhe komunikoi me përfaqësues të lartë të ftuar dhe organizatorët vendas, të cilët e shoqëruan atë përgjatë gjithë veprimtarisë. Duke u shprehur atyre mirënjohjen për mikpritjen e ngrohtë, Presidenti theksoi se, pas rritjes reale të standardeve ekonomike në Shqipëri, klimës pozitive për investime dhe kushteve e mundësive të favorshme fiskale, ky është momenti i duhur për t'i zhvilluar akoma edhe më mirë marrëdhëniet dhe shkëmbimet ekonomike-tregtare mes Shqipërisë dhe Kinës në fusha të tilla si infrastruktura, energjetika, turizmi, etj. Kryetari i Shtetit vuri në dukje gjithashtu se: "garancia dhe siguria që Shqipëria ofron për investitorët e huaj është gjithnjë e më e madhe dhe se pala shqiptare ke vullnetin e duhur politik për të lehtësuar të bërit biznes." "Ne mirëpresim investimet e huaja dhe, në këtë drejtim, kemi shprehur e dëshmuar angazhimin tonë maksimal", - theksoi Presidenti Topi, - "por për këtë duhen projekte konkrete zhvillimi dhe bashkëpunimi."
Presidenti Topi shkruan në Librin e përshtypjeve të panairit "Ekspo Shangai 2010".