Në mars 2018, presidenti i atëhershëm i ShBA-së Donald Trump njoftoi se do të vendoste tarifa në shkallë të gjerë për mallrat e importuara nga Kina, duke provokuar fërkimet ekonomike dhe tregtare kino-amerikane. Që nga viti 2021, administrata e Biden-it jo vetëm që ka vazhduar të vendosë tarifa shtesë, por gjithashtu ka mbrojtur "shkëputjen dhe ndërprerjen e lidhjeve" dhe "çrrezikimin" nga Kina, si edhe ndërtimin e "oborreve të vogla me mure të larta", duke minuar sistemin ekonomik e tregtar global. Lufta tregtare e provokuar nga Shtetet e Bashkuara kundër Kinës jo vetëm që prek interesat e Kinës, Shteteve të Bashkuara dhe vendeve të tjera, por gjithashtu dëmton imazhin ndërkombëtar e besueshmërinë kombëtare të Shteteve të Bashkuara dhe trondit themelet e sistemit global tregtar shumëpalësh.
Mediat amerikane raportuan së fundmi se administrata e Biden-it ka ruajtur tarifat e vendosura gjatë administratës së Trump-it, duke bërë që amerikanët të vazhdojnë të paguajnë për çmimet e larta të mallrave.
Sipas CNN-it, në vitin 2018 administrata Trump vendosi tarifa në shkallë të gjerë për mallrat e importuara nga Kina, duke përfshirë kapelet e bejsbollit, valixhet dhe këpucët. Amerikanët e kanë paguar çmimin për këto tarifa që atëherë. Pronarja e një dyqani në Teksas që shet valixhe, tha se pasi administrata e Trump-it vendosi tarifa, një valixhe që kushtonte fillimisht 100 dollarë, tani kushton 160 dollarë, ndërsa një valixhe që kushtonte 425 dollarë, tani shitet për 700 dollarë. Ndërsa tarifat nuk janë arsyeja e vetme për rritjen e çmimeve gjatë pesë vjetëve të fundit, ajo shpreson që administrata e Biden-it t'i heqë ato, për të ndihmuar në zbutjen e presionit të çmimeve më të larta.
Megjithatë, pas disa vjetësh shqyrtimi të masave shtesë tarifore, administrata e Biden-it vendosi këtë vit të ruajë politikën tarifore të zbatuar nga paraardhësi i saj Trump, si edhe që të vendosë tarifa shtesë për mallrat e tjera kineze, duke përfshirë automjetet elektrike, gjysmëpërçuesit dhe produkte të tjera të importuara nga Kina.
Për më tepër, kur raportet përmendin inflacionin e lartë të përjetuar nga Shtetet e Bashkuara në vitet e fundit, organizatat amerikane të industrisë besojnë se tarifat pa dyshim kanë kontribuar në rritjen e çmimeve të veshjeve, këpucëve dhe sendeve të udhëtimit. Shoqata Amerikane e Veshjeve dhe e Këpucëve u shpreh se tarifat pa asnjë pikë dyshimi e kanë përkeqësuar inflacionin në ShBA gjatë viteve të fundit. Shoqata Kombëtare e Shitësve me Shumicë dhe Shitësve me Pakicë të Këpucëve tha se ka një bashkëlidhje të qartë ndëmjet tarifave dhe shpenzimeve të amerikanëve për këpucët.