foto nga Xinhua
Drejtues të biznesit dhe diplomacisë theksuan se angazhimi konstruktiv ndërmjet Kinës dhe Shteteve të Bashkuara është thelbësor jo vetëm për të dy vendet, por edhe për qëndrueshmërinë e begatinë globale.
Në Darkën Gala vjetore të Komitetit Kombëtar për Marrëdhëniet ShBA-Kinë të mbajtur të martën, kryetari i këtij komiteti Stephen Orlins, i cili i ka kushtuar 50 vjet nxitjes së marrëdhënieve amerikano-kineze, i pranoi sfidat aktuale me të cilat përballen këto marrëdhënie. "Nuk mbaj mend një kohë kur ato kanë qenë kaq të ngarkuara sa tani," theksoi ai.
Duke theksuar nevojën për elasticitet e duke cituar Konfucin, Orlins tha: "Në kohë të vështira, duhet të jemi mendjehapur e të fortë, të mbajmë mbi supe përgjegjësitë tona dhe të punojmë më shumë për të ecur përpara në mënyrë të qëndrueshme në rrugën tonë për një marrëdhënie ShBA-Kinë që e bën botën një vend më të sigurt e më të begatë për brezat e ardhshëm."
Evan G. Greenberg, kryetari i kompanisë "Chubb Limited", theksoi rëndësinë e menaxhimit efektiv të marrëdhënieve kino-amerikane. Ai vuri në dukje se përpjekjet e fundit diplomatike kanë çuar në përmirësimin e komunikimit, i cili është thelbësor për të menaxhuar krizat e mundshme.
"Angazhimi ndërmjet popujve tanë, në përgjithësi, brenda dhe jashtë qeverisë në të gjitha nivelet është kritik, përfshirë bizneset, studentët, mësuesit, grupet e mendimit dhe fermerët," tha Greenberg.
"Unë e di që ne të gjithë kemi një interes të përbashkët për domosdoshmërinë e një rruge më pozitive që marrëdhëniet ShBA-Kinë të ecin përpara në mënyrë më produktive e më të qëndrueshme," shtoi ai.
foto nga Xinhua
William Ford, kryetar i kompanisë "General Atlantic" dhe një ndër personat e nderuar në këtë gala, u bëri jehonë mendimeve të Greenberg-ut, duke pohuar se angazhimi strategjik ndërmjet dy vendeve është jetik për paqen dhe zhvillimin global.
Ford përmendi dy dekadat e investimit të kompanisë "General Atlantic" në Kinë, duke theksuar rëndësinë e një marrëdhënieje konstruktive. "Ishte në interesin afatgjatë kombëtar të Amerikës që të kishte një marrëdhënie aktive dhe konstruktive me Kinën," citoi ai ish-sekretarin amerikan të Shtetit Henry Kissinger.
Pavarësisht tensioneve të fundit që kanë ngadalësuar flukset e kapitalit drejt Kinës, Fordi shprehu optimizëm për ndryshimin e kësaj prirjeje.
foto nga Xinhua
"Unë shpresoj se angazhimi dhe bashkëpunimi strategjik mund ta kthejnë këtë prirje të rënies në formimin e kapitalit. Jam optimist që mund të gjejmë një rrugë konstruktive që është e dobishme për Shtetet e Bashkuara e Kinën dhe mbështet rritjen globale," tha ai.
Ai përsëriti besimin e Kissinger-it që, nëse ShBA-ja dhe Kina mund të thellojnë mirëkuptimin dhe bashkëpunimin reciprok, bota ka një mundësi më të mirë për të arritur paqen dhe lulëzimin e qëndrueshëm. (Fang Xiaoyu/Artan)