Foto nga VCG
Ministria e Drejtësisë e Kinës u ka kërkuar organeve administrative gjyqësore në të gjitha nivelet që të integrojnë punën e tyre në përpjekjet për të zgjidhur mosmarrëveshjet dhe për të mbrojtur qëndrueshmërinë shoqërore.
Udhëzimet u parashtruan në një mbledhje të zhvilluar kohët e fundit të grupit drejtues të anëtarëve të Partisë në këtë ministri, në sfondin e një numri çështjesh të spikatura të sigurisë publike në mbarë vendin.
Në mbledhje u theksua rëndësia e rritjes së punës ndërmjetësuese nga njerëzit, si udhëzimi i ndërmjetësuesve për të kryer hetime të thelluara për mosmarrëveshjet e zakonshme që përfshijnë martesën, fqinjët, trashëgiminë e pronës dhe çështje të tjera.
Ndërmjetësuesit duhet gjithashtu të punojnë më ngushtë me autoritetet përkatëse për t'i zgjidhur mosmarrëveshjet në nivelin parësor dhe në një fazë të hershme.
Duke nënvizuar nevojën për siguri absolute në burgjet dhe qendrat e rehabilitimit nga droga, në mbledhje u bë thirrje për një risistemim, ndihmë dhe edukim më të mirë lidhur me të liruarit pas vuajtjes së dënimit, në mënyrë që të zvogëlohen gjasat për përsëritje nga ana e tyre.
Mbledhja e vuri theksin gjithashtu në koordinimin e mëtejshëm të burimeve në lidhje me avokatinë, noterizimin, vërtetimin gjyqësor, arbitrazhin e ndihmën juridike, për të ofruar shërbime ligjore më të sakta, të shëndetshme dhe efikase për kërkesën e njerëzve për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve dhe mbrojtjen e të drejtave dhe interesave të tyre. (Çang Çuo)