Foto nga Xinhua
Kina do të vazhdojë të ndërmarrë veprime konkrete, për të siguruar zinxhirë të qëndrueshëm globalë industrialë dhe të furnizimit, tha të hënën Kryeministri Li Qiang.
Li i bëri komentet gjatë një simpoziumi me përfaqësues të ndërmarrjeve dhe organizatave pjesëmarrëse në Ekspozitën e Dytë Ndërkombëtare të Zinxhirit të Furnizimit në Kinë.
Të pranishëm në simpozium, ndër të tjerë, ishin dhe përfaqësues të Apple, Rio Tinto, Contemporary Amperex Technology dhe Këshillit të Biznesit SHBA-Kinë.
Duke theksuar besimin e plotë në ekonominë kineze dhe potencialin e madh të tregut kinez, përfaqësuesit e korporatave thanë se firmat e huaja në Kinë janë të gatshme të zgjerojnë investimet e tyre, të thellojnë zhvillimin në vend, të forcojnë bashkëpunimin në zinxhirët globalë industrialë dhe të furnizimit, për të arritur rezultate të favorshme.
Li tha se gjatë dekadave të fundit, me zhvillimin e thelluar të globalizimit ekonomik, zinxhirët globalë industrialë dhe të furnizimit janë zgjeruar gradualisht, duke nxitur rritjen e shpejtë të ekonomisë botërore në përfitim të të gjitha palëve.
Ndërsa rritjes ekonomike globale tani i mungon vrulli, disa akte dhe lëvizje proteksioniste që e teprojnë me konceptin e sigurisë, vazhdojnë të dëmtojnë zinxhirët globalë industrialë dhe të furnizimit, duke rritur më tej kostot e korporatave, duke ulur efikasitetin ekonomik dhe duke penguar zhvillimin e përbashkët, tha ai.
Li bëri thirrje për përpjekje më të forta për të mbrojtur zinxhirët e qëndrueshëm globalë industrialë dhe të furnizimit, si dhe interesat e përbashkëta të të gjitha palëve.
Kryeministri vuri në dukje se Kina ka arritur një rritje ekonomike përgjithësisht të qëndrueshme këtë vit duke bërë përparime të mëtejshme. Ai tha se do të bëhen më shumë përpjekje për të rritur përshtatjen kundërciklike dhe për të nxitur zhvillimin e shëndoshë ekonomik.
Kina do të përshpejtojë ndërtimin e një sistemi industrial modern dhe do të ofrojë mbështetje solide për operacionet efikase të zinxhirëve industrialë dhe të furnizimit global, tha Li.