Foto nga Xinhua
Zhao Leji, ligjvënësi më i lartë i Kinës, zhvilloi një vizitë zyrtare në Portugali nga e enjtja deri të shtunën. Gjatë vizitës ai shprehu gatishmërinë e vendit për të zgjeruar bashkëpunimin dypalësh, duke shpresuar se Portugalia do të punojë së bashku me Kinën për të injektuar më shumë energji pozitive në zhvillimin e lidhjeve midis Kinës dhe Bashkimin Evropian.
Zhao, Kryetar i Komitetit të Përhershëm të Kongresit Popullor Kombëtar, gjatë vizitës treditore u takua me Presidentin e Portugalisë Marcelo Rebelo de Sousa dhe Kryeministrin Luis Montenegro. Ai zhvilloi bisedime edhe me Kryetarin e Parlamentit Jose Pedro Aguiar-Branco.
Gjatë takimit me Rebelo de Sousa, Zhao përcolli përshëndetjet e përzemërta dhe urimet më të mira të Presidentit Xi Jinping. Zhao tha se vitet e fundit, nën drejtimin strategjik të dy krerëve të shteteve, partneriteti strategjik gjithëpërfshirës Kinë-Portugali është thelluar dhe ka bërë përparime solide, duke shfaqur progres të qëndrueshëm në bashkëpunimin "Një Brez një Rrugë", si dhe shkëmbimet e pasura kulturore dhe njerëzore.
Kina vlerëson respektimin e gjatë të Portugalisë ndaj parimit të një Kine. Ajo është e gatshme të angazhohet me Portugalinë, bazuar në respektin dhe barazinë reciproke, për të forcuar lidhjet si miq të mirë që respektojnë dhe besojnë tek njëri-tjetri, partnerë të besueshëm për zhvillim të përbashkët dhe shoqërues të ngushtë në mësimin e ndërsjellë mes qytetërimeve, tha Zhao.
Shpresojmë që Portugalia do të vazhdojë të luajë një rol aktiv brenda BE-së dhe të injektojë më shumë energji pozitive në zhvillimin e marrëdhënieve Kinë-BE, tha Zhao.
Rebelo de Sousa i kërkoi Zhaos t'i përcillte Presidentit Xi përshëndetjet e tij të përzemërta, duke vënë në dukje se Portugalia dhe Kina janë miq të mirë, me mirëkuptim dhe dashuri të ndërsjellë.
Duke theksuar se ky vit shënon 45 vjetorin e marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve dhe 25 vjetorin e kthimit të Makaos në atdheun e Kinës, Presidenti i vendit tha se Portugalia është e gatshme të forcojë shkëmbimet e nivelit të lartë me Kinën, të thellojë miqësinë dhe bashkëpunimin në fusha si tregtia, energjia e re, ekonomia detare dhe ekonomia dixhitale.
Gjatë takimit me Kryeministrin Montenegro, Zhao tha se Kina gjithmonë i ka parë dhe i ka zhvilluar lidhjet me Portugalinë, nga një perspektivë strategjike afatgjatë. Kina është e gatshme të punojë me Portugalinë, për të mbështetur me vendosmëri interesat dhe shqetësimet e njëri-tjetrit, si edhe për të forcuar besimin e ndërsjellë politik.
Zhao vuri në dukje bashkëpunimin më të ngushtë në fusha si inteligjenca artificiale, energjia e pastër, inovacioni i teknologjisë, trajnimi i personelit dhe shkëmbimet kulturore dhe njerëzore, duke inkurajuar kompanitë nga të dy vendet për të zgjeruar investimet dhe bashkëpunimet.
Montenegro vuri në dukje se Portugalia i përmbahet gjithmonë parimit të një Kine dhe vlerëson praktikën "Një vend, dy sisteme" në Rajonin Special Administrativ të Makaos.
Në bisedimet e tij me Aguiar-Branco, Zhao tha se Kongresi Popullor Kombëtar i Kinës është i gatshëm të punojë me parlamentin portugez, për të thelluar shkëmbimet midis dy organeve legjislative të nivelit të lartë, komiteteve speciale, ligjvënësve dhe organeve legjislative lokale. Gjithashtu për të rritur shkëmbimet e përvojës në legjislacion dhe mbikëqyrje, për të ofruar garanci ligjore për nxitjen e bashkëpunimit dypalësh në fusha të ndryshme dhe për të krijuar një mjedis biznesi të drejtë dhe jodiskriminues.
Aguiar-Branco tha se të dy vendet i përmbahen respektit të ndërsjellë, hapjes dhe bashkëpunimit të favorshëm, për të arritur rezultate pozitive në fusha të ndryshme. Përballë situatës komplekse ndërkombëtare, Portugalia shpreson të forcojë komunikimin dhe bashkëpunimin me Kinën, duke iu përmbajtur së bashku Kartës së OKB-së dhe multilateralizmit, shtoi ai. (Elona)