foto nga VCG
Kina do të zbatojë një sërë masash shtesë për të stabilizuar sektorin e saj të pasurive të paluajtshme, tha Ni Hong, ministër i Strehimit dhe Zhvillimit Urban-Rural, në një konferencë shtypi në Pekin të enjten.
Në këtë konferencë shtypi ishin të pranishëm zyrtarë nga Ministria e Strehimit dhe Zhvillimit Urban-Rural dhe përfaqësues nga Ministria e Financave, Ministria e Burimeve Natyrore, Banka Popullore e Kinës e Administrata Kombëtare Rregullatore Financiare.
Qeveria do të rrisë mbështetjen për projektet e rinovimit të fshatrave urbane dhe të banesave të rrënuara, tha ministri Ni, duke shtuar se Kina do të kryejë rinovimin e një milion njësive të tilla të banimi shtesë duke ofruar kompensim monetar për banorët.
foto nga VCG
Ai theksoi më tej se të gjitha projektet e pasurive të paluajtshme do të përfshihen në mekanizmin e "listës së bardhë", për të siguruar që nevojat e tyre të arsyeshme të financimit të plotësohen nëpërmjet kredive.
Deri më 16 tetor, kreditë e miratuara për projektet e pasurive të paluajtshme në "listën e bardhë" arritën në 2.23 trilionë juanë (rreth 313.11 miliardë dollarë), sipas Xiao Yuanqi, nënkryetar i Administratës Kombëtare Rregullatore Financiare.
foto nga VCG
Xiao tregoi më tej se shuma e miratuar e kredive për projektet e "listës së bardhë" pritet të dyfishohet në mbi katër trilionë juanë deri në fund të këtij viti.
Mbështetja financiare dhe masat e politikës monetare për të ndihmuar stabilizimin e sektorit të pronave u njoftuan gjithashtu gjatë konferencës për shtypin.
Song Qichao, ndihmësministri i financave, vuri në dukje se pushteti vendor do të ketë autonomi për të vendosur mbi blerjen e pronave ekzistuese të banimit duke përdorur bono të veçanta. Qeveria kineze po rregullon në mënyrë aktive politikat e tatimit mbi vlerën e shtuar të pasurive të paluajtshme për të lehtësuar barrën si për bizneset, ashtu edhe për blerësit e shtëpive.
Ndërkohë, Banka Popullore e Kinës po shqyrton mundësinë për të dhënë kredi për ndërmarrjet e kualifikuara për blerjen e tokës së lirë, për të mbështetur rimëkëmbjen e tregut, tha Tao Ling, zv.guvernatore e Bankës Popullore të Kinës. (Fang Xiaoyu/Artan)