Xi dhe presidenti mongol shkëmbejnë urime për 75-vjetorin e marrëdhënieve diplomatike Kinë-Mongoli
2024-10-16 11:47:59

Foto nga VCG

Të mërkurën, presidenti kinez Xi Jinping dhe homologu i tij mongol Ukhnaagiin Khurelsuh shkëmbyen mesazhe urimi me rastin e 75-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike ndërmjet të dy vendeve.

Xi vuri në dukje se Kina e Mongolia janë vende fqinje të rëndësishme për njëra-tjetrën dhe Mongolia ishte një nga vendet e para që vendosi marrëdhënie diplomatike me Kinën e Re. Që nga vendosja e lidhjeve diplomatike 75 vjet më parë, të dy vendet i janë përmbajtur gjithmonë drejtimit të përgjithshëm të fqinjësisë së mirë dhe miqësisë, kanë vazhduar të thellojnë bashkëpunimin me leverdi të ndërsjellë në fusha të ndryshme dhe kanë sjellë përfitime konkrete për të dy popujt. "Unë u kushtoj rëndësi të madhe zhvillimit të marrëdhënieve kino-mongole dhe jam i gatshëm të punoj me zotin President për të promovuar qëndrueshmërinë e zhvillimin afatgjatë të marrëdhënieve të partneritetit të gjithanshëm strategjik Kinë-Mongoli nën drejtimin e ndërtimit të bashkësisë me fate të përbashkëta të të dy vendeve," u shpreh kreu i shtetit i Kinës.

Ukhnaagiin Khurelsuh tha nga ana e tij se, gjatë 75 vjetëve që nga vendosja e marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Mongolisë dhe Kinës, të dyja palët e kanë zhvilluar në mënyrë të qëndrueshme miqësinë e tyre, kanë vazhduar të konsolidojnë besimin e ndërsjellë dhe kanë krijuar marrëdhëniet e partneritet të gjithanshëm strategjik. Ai shprehu gatishmërinë për të punuar së bashku me presidentin Xi Jinping për të promovuar integrimin e strategjisë së zhvillimit "Rruga e kullotës" me nismën "Një brez, një rrugë", për të kontribuuar në zhvillimin e të dy vendeve dhe për të rritur mirëqenien e të dy popujve.

Po atë ditë, edhe kryeministri kinez Li Qiang shkëmbeu mesazhe urimi me homologun e vet mongol Luvsannamsrai Oyun-Erdene. Li tha se pala kineze është e gatshme të punojë së bashku me palën mongole, duke e marrë 75-vjetorin e lidhjeve diplomatike si një pikënisje të re, për të nxitur zhvillimin e përbashkët dhe bashkëpunimin me përfitime të ndërsjella në rrugën e modernizimit.

Oyun-Erdene  shprehu gatishmërinë e tij për të thelluar më tej marrëdhëniet tradicionale miqësore ndërmjet Mongolisë e Kinës dhe për të krijuar së bashku një të ardhme të ndritur për marrëdhëniet dypalëshe. (Çang Çuo)