Foto nga CMG
Në prag të hapjes së samitit të udhëheqësve të BRICS-it për vitin 2024, të mërkurën u organizua në Pekin Forumi Global i Grupeve të Mendimit të Jugut Global me temë "Paqja, zhvillimi, siguria - Të krijojmë së bashku një botë të lulëzuar me fate të përbashkëta". Liu Jianchao, kreu i Departamentit Ndërkombëtar të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Kinës, dhe Shen Haixiong, zëvendësministër i Departamentit të Promovimit të Komitetit Qendror të PKK-së dhe kryetar i CMG-së, mbajtën videofjalime. Përfaqësues të qeverive, studiues e përfaqësues të mediave nga 76 vende të botës morën pjesë në mënyrë të kombinuar në internet dhe me prani fizike në këtë fourm.
Foto nga CMG
Liu Jianchao tha se rritja dhe zhvillimi i mëtejshëm i Jugut Global është aspirata e popujve të vendeve të Jugut Global, prirja e historisë dhe shpresa përballë ndryshimeve në botë. Kina është vend i Jugut Global dhe ka ndarë gjithmonë të njëjtin fat me vendet e Jugut Global, duke qenë një nxitëse aktive e bashkëpunimit Jug-Jug. Kina do të bashkohet gjithmonë me vendet e Jugut Global për të demonstruar rolin e Jugut Global, për të promovuar zhvillimin e Nismës së Zhvillimit Global, Nismës së Sigurisë Globale e Nismës së Qytetërimit Global dhe për të mbledhur më shumë forca për krijimin e bashkësisë me fate të përbashkëta të njerëzimit.
Foto nga CMG
Ndërsa Shen Haixiong tha se vendet e Jugut Global po bashkëpunojnë për të arritur së bashku zhvillimin dhe po përpiqen të forcojnë zërin e tyre për ruajtjen e paqes e të sigurisë dhe për mbrojtjen e drejtësisë e të barazisë. CMG-ja do të ndërtojë në mënyrë aktive ura dhe lidhje për shkëmbime, dialog e mësim të ndërsjellë ndërmjet vendeve të Jugut dhe do të ofrojë platformë për nxitjen e bashkëpunimit me përfitime të përbashkëta e për forcimin e të drejtave të Jugut Global. "Ne jemi të gatshëm të bashkojmë forcat me grupet e mendimit nga vendet e Jugut Global për të kontribuuar më shumë me fuqinë tonë në ndërtimin e bashkësisë së fateve të përbashkëta të njerëzimit dhe për një të ardhme të bukur me paqe, siguri, lulëzim e përparim", tha ai.
Foto nga CMG
Erik Solheim, kryetar i Qendrës së BE-së për Azinë dhe ish-zëvendëssekretar i përgjithshëm i OKB-së, uroi për suksesin e forumit. Ai vuri në dukje se ngritja e vendeve të Jugut Global është një përparim i zhvillimit të shoqërisë njerëzore. Këto vende janë promotore e mbrojtëse të paqes botërore dhe luajnë një rol të madh në krijimin e një bote të qëndrueshme shumëpolare.
Forumi Global i Grupeve të Mendimit të Jugut Global do të transmetohet të premten si program i posaçëm në CGTN. (Çang Çuo)