Kryeministri Li: Kina do të konsolidojë mbështetjen e ndërsjellë me Kirgizistanin
2024-10-16 10:51:45

Foto nga Xinhua

Kryeministri kinez Li Qiang theksoi të martën se Kina do të punojë me Kirgizistanin për të konsoliduar mbështetjen e ndërsjellë, për të mbetur partnerë të besueshëm në drejtim të zhvillimit e përtëritjes dhe për të thelluar bashkëpunimin në ndërtimin me cilësi të lartë të "Një brez, një rrugë".

Li i tha këto gjatë takimit me homologun e vet kirgizistanas Akylbek Zhaparov në Islamabad të Pakistanit, ku ata ndodhen për të marrë pjesë në Takimin e 23-të të Këshillit të Krerëve të Qeverive të Shteteve Anëtare të Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait (OBSh). 

Li vuri në dukje që në takimin ndërmjet presidentit kinez Xi Jinping dhe presidentit kirgizistanas Sadyr Japarov në Astana në korrikun e sivjetshëm u hartuan planet për të ndërtuar një bashkësi më të afërt me të ardhme të përbashkët Kinë-Kirgizistan, si edhe për t'i ngritur bashkëpunimin e marrëdhëniet dypalëshe në një nivel më të lartë. 

Kina synon të përmirësojë bashkërendimin dhe bashkëpunimin me Kirgizistanin nën drejtimin strategjik të dy krerëve të shtetit për të forcuar dhe thelluar bashkëpunimin dypalësh në fusha të ndryshme dhe për të nxitur më tej begatinë e zhvillimin e përbashkët, tha kryeministri.

Li shtoi më tej se Kina është e gatshme të punojë me Kirgizistanin për t'i zhvilluar marrëdhëniet dypalëshe nga një perspektivë strategjike afatgjatë, për të forcuar më tej ndërlidhjen, për të përshpejtuar përmirësimin e infrastrukturës, si portet, për të stimuluar tregtinë e investimet dhe për të zgjeruar bashkëpunimin në fusha të tilla si energjia e re, tregtia elektronike ndërkufitare, të dhënat e mëdha dhe inteligjenca artificiale, duke u përpjekur për të arritur rezultate më konkrete nga bashkëpunimi.

Nga ana e tij, Zhaparovi u shpreh se Kirgizistani dhe Kina kanë qenë për një kohë të gjatë vende fqinje mike, duke ruajtur shkëmbimet e ngushta të nivelit të lartë dhe bashkëpunimin e frytshëm ekonomik e tregtar. Ai e falënderoi palën kineze për mbështetjen dhe ndihmën e saj për zhvillimin ekonomik e shoqëror të Kirgizistanit.

Ai shtoi se Kirgizistani u kushton rëndësi të madhe marrëdhënieve me Kinën e mirëpret të punojë me palën kineze për të zbatuar konsensusin e rëndësishëm të arritur nga të dy krerët e shteteve, për të forcuar sinergjinë e strategjive të zhvillimit, për të thelluar bashkëpunimin në kuadër të nismës "Një brez, një rrugë", për të çuar përpara ndërtimin e hekurudhës Kinë - Kirgizistan - Uzbekistan e për të thelluar bashkëpunimin në fusha të tilla si ndërtimi i porteve, ndërlidhja, financat, minierat, arsimi e turizmi, duke u dhënë një shtysë më të fortë në zhvillimin e partneritetit të gjithanshëm strategjik Kirgizistan - Kinë.