Kina prezanton udhëzime për të trajtuar obezitetin e nxënësve
2024-07-23 15:21:17

CFP

CFP

Kina nxori të hënën udhëzime gjithëpërfshirëse për të luftuar mbipeshën te nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme, duke theksuar parandalimin, ndërhyrjen e hershme dhe përpjekjet për paralajmërimin e hershëm të sëmundjeve, shkruan “Xinhua”.

Udhëzimet teknike për parandalimin dhe kontrollin gjithëpërfshirës të mbipeshës dhe obezitetit te nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme u publikuan së bashku nga Administrata Kombëtare e Kontrollit dhe Parandalimit të Sëmundjeve, Ministria e Arsimit, Komisioni Kombëtar i Shëndetësisë dhe Administrata e Përgjithshme e Sportit të Kinës.

Çështjet e peshës dhe obeziteti ndikojnë në shëndetin e nxënësve të shkollave fillore dhe të mesme, duke kërkuar ndërhyrje urgjente, theksohet në udhëzime.

Rekomandimet kryesore përfshijnë promovimin e zakoneve të shëndetshme të të ushqyerit me reduktim të kripës, vajit dhe sheqerit, ofrimin e metodave të ndërhyrjes shkencore dhe inkurajimin e shkollave për të punësuar nutricionistë të kualifikuar.

Udhëzimet kërkojnë gjithashtu sigurimin e aktivitetit fizik të përditshëm me të paktën një orë edukimi fizik në ditë, kryerjen e kontrolleve të rregullta shëndetësore dhe krijimin e të dhënave shëndetësore për nxënësit, me reagime në kohë për prindërit.

Një formular vetëvlerësimi për rreziqet e mbipeshës dhe obezitetit është prezantuar për t'u mundësuar familjeve dhe shkollave të kryejnë vlerësime nën drejtimin profesional.

Masat e reja synojnë të parandalojnë dhe kontrollojnë në mënyrë efektive shfaqjen dhe zhvillimin e mbipeshës dhe obezitetit tek nxënësit kinezë, duke siguruar mirëqenien e tyre fizike dhe mendore.  (Fatosi)