Kina arrin marrëveshje të përkohshme me Filipinet mbi gumën Ren'ai
2024-07-22 13:30:37

Një zëdhënës i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kinës bëri të ditur të hënën se Kina arriti një marrëveshje të përkohshme me Filipinet për menaxhimin e situatës në gumën Ren'ai.

Foto:VCG

Anija luftarake filipinase e ankorduar ilegalisht në gumën Ren'ai të Kinës(Foto:VCG)

Zëdhënësi theksoi së pari se guma Ren'ai është pjesë e ishujve Nansha të Kinës dhe Kina ka sovranitet mbi të dhe pjesë të tjera të këtyre ishujve, si edhe mbi ujërat përreth tyre. Për mënyrën e trajtimit të situatës aktuale në gumën Ren'ai, Kina ka deklaruar publikisht qëndrimin e saj parimor, i cili përbëhet nga tre pika:

Së pari, për disa dekada me radhë, Filipinet e kanë ankoruar ilegalisht anijen e tyre luftarake në gumën Renai, gjë që shkel sovranitetin e Kinës dhe Deklaratën për Sjelljen e Palëve në Detin e Kinës Jugore (DOC), veçanërisht nenin 5, që thotë se palët nuk duhet të kryejnë veprime për t'i bërë të banuar ishujt dhe shkëmbinjtë e pabanuar. Kina vazhdon të kërkojë që Filipinet të tërheqin anijen luftarake dhe të rivendosin gjendjen e mëparshme të gumës Ren'ai, pa personel apo objekte.

Së dyti, nga tani dhe kur anija luftarake të tërhiqet, nëse Filipinet duhet t'i dërgojnë mjetet e nevojshme për jetesë personelit që jeton në anijen luftarake, Kina është e gatshme ta lejojë këtë sipas frymës humanitare, në rast se pala filipinase e informon palën kineze paraprakisht dhe pas verifikimit në terren. Kina do të monitorojë të gjithë procesin e furnizimit.

Së treti, nëse Filipinet do të dërgojnë një sasi të madhe materialesh ndërtimi në anijen luftarake dhe do të përpiqen të ndërtojnë objekte fikse ose posta të përhershme, Kina absolutisht nuk do ta pranojë një gjë të tillë dhe do ta ndalojë me vendosmëri, në përputhje me ligjin dhe rregulloret, për të mbështetur sovranitetin e Kinës dhe seriozitetin e Deklaratës për Sjelljen e Palëve në Detin e Kinës Jugore.

Zëdhënësi tha se, në bazë të qëndrimit parimor të mësipërm, Kina kohët e fundit pati një sërë konsultimesh me Filipinet për menaxhimin e situatës në gumën Ren'ai dhe arriti një marrëveshje të përkohshme me Filipinet për furnizimin humanitar të mjeteve të jetesës. Të dy palët ranë dakord të menaxhojnë së bashku dallimet lidhur me çështjet detare dhe të punojnë për uljen e tensioneve në Detin e Kinës Jugore.(Zhang Yan/Artan)