Rreth 200 milionë gra kineze përfitojnë nga depistimi i kancerit të qafës së mitrës dhe të gjirit
2024-07-19 11:01:22

Foto nga CFP

Foto nga CFP

Ndërsa depistimi për kancerët me incidencë të lartë është bërë gjithnjë e më i zakonshëm në Kinë, gati 200 milionë gra kanë përfituar nga depistimi i kancerit të qafës së mitrës dhe të gjirit që nga viti 2009, shkruan “Xinhua”.

Ekzaminimi i hershëm ka mbuluar shumicën e 10 kancereve me incidencë të lartë, si ai i mushkërive, i stomakut, si dhe kanceri i qafës së mitrës dhe i gjirit, tha Chen Wanqing, një zyrtar me Qendrën Kombëtare të Kancerit, në një takim gjatë Forumit të tretë Global të Shëndetit të Forumit Boao për Azinë.

Në këtë aktivitet, ekspertët e shëndetësisë kanë theksuar rolin kritik të shqyrtimit dhe trajtimit të hershëm në luftimin e sëmundjeve neoplazike.

Mao Qun'an, zyrtar në Komisionin Kombëtar të Shëndetit, theksoi angazhimin e Kinës për një qasje gjithëpërfshirëse ndaj kancerit, duke i dhënë përparësi parandalimit dhe duke e kombinuar atë me masat e kontrollit.

Mao vuri në dukje se udhëzimet për shqyrtimin, zbulimin e hershëm dhe trajtimin e kancereve me incidencë të lartë, si kanceri i stomakut, ezofagut dhe kolorektalit, janë zbatuar në mbarë vendin.

Në vitin 2022, Kina raportoi rreth 4.82 milionë raste të reja me kancer.

Sipas një plani veprimi të publikuar në vitin 2023, vendi synon të frenojë tendencën në rritje të incidencës së kancerit dhe normave të vdekshmërisë deri në vitin 2030, me një objektiv për të arritur një normë të përgjithshme të mbijetesës së kancerit pesëvjeçar prej 46.6 për qind.

Ekspertët theksuan gjithashtu rëndësinë e rritjes së investimeve në parandalimin e sëmundjeve neoplazike dhe rritjen e aksesit të burimeve mjekësore në rajonet më pak të zhvilluara.

Mao premtoi përpjekje të vazhdueshme për të zgjeruar mbulimin e shqyrtimit të sëmundjeve neoplazike dhe për të fuqizuar institucionet mjekësore të nivelit parësor në këtë drejtim. (Irma)