Kina, e gatshme të punojë për pajtimin ndërmjet fraksioneve palestineze
2024-07-16 18:50:56

Kina është e gatshme të ofrojë një platformë dhe të krijojë mundësi për fraksionet palestineze që të angazhohen në dialog për pajtim, tha zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kinës Lin Jian në një konferencë shtypi të martën në Pekin.

Foto:VCG

Zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kinës Lin Jian/Foto:VCG

Ai ritheksoi se Kina ka mbështetur gjithmonë pajtimin dhe bashkimin ndërmjet fraksioneve palestineze përmes dialogut e konsultimeve.

Lin i bëri komentet në përgjigje të njoftimeve të medias se zyrtarë të lartë të Lëvizjes Çlirimtare Kombëtare Palestineze (Fatah) e Lëvizjes Palestineze të Rezistencës Islamike (Hamas) do të takohen në Pekin gjatë kësaj fundjave.

Kina do të publikojë informacionet përkatëse në një kohë të përshtatshme, bëri të ditur zëdhënësi.

Ai shtoi se Kina e palët përkatëse palestineze po punojnë për të njëjtin qëllim dhe Pekini është i gatshëm të forcojë komunikimin e koordinimin me të gjitha palët në përpjekjet e përbashkëta për të siguruar pajtimin ndërpalestinez.

Rivalët palestinezë, Fatah, i drejtuar prej presidentit Mahmoud Abbas, dhe Hamas, autoriteti që qeveris në Gazë, mbajtën bisedime në Pekin në prill, duke zhvilluar një dialog të thelluar e të sinqertë për promovimin e pajtimit.

“Të dy palët shprehën plotësisht vullnetin e tyre politik për realizimin e pajtimit nëpërmjet dialogut e konsultimit, patën diskutime për shumë çështje specifike dhe bënë përparim inkurajues," tha në një deklaratë Ministria e Punëve të Jashtme e Kinës pas bisedimeve.

Të dyja palët vlerësuan lart mbështetjen e vendosur të Kinës lidhur me kauzën e drejtë të popullit palestinez për rivendosjen e të drejtave të tij të ligjshme kombëtare, falënderuan palën kineze për përpjekjet e saj për të ndihmuar në forcimin e unitetit të brendshëm palestinez dhe arritën konsensus për zhvillimin e dialogut të ardhshëm, theksohet në deklaratën e prillit. (Zhang Yan/Artan)