Universiteti kinez dhe ai boshnjak krijojnë partneritet arsimor
2024-07-03 16:46:40

Foto nga CFP

Foto nga CFP

Universiteti i Banja Lukës në Bosnjë-Hercegovinë dhe Universiteti i Teknologjisë dhe Arsimit në Tianjin nënshkruan një marrëveshje që synon rritjen e bashkëpunimit akademik, citon “Xinhua”.

Zeljko Budimir, ministër i Zhvillimit të Shkencës dhe Teknologjisë dhe Arsimit të Lartë, theksoi se Kina mbetet një partner strategjik në sektorë të ndryshëm, duke nënvizuar rëndësinë e avancimit të lidhjeve arsimore, shkruan “Xinhua”.

Ai u shpreh optimist se marrëveshja do të nxisë shkëmbime të frytshme të studentëve dhe stafit akademik mes dy institucioneve.

“Me themelimin e Institutit Konfuci dhe Qendrës për Projektet Inovative të Praktikës Inxhinierike, kjo marrëveshje nënkupton një bashkëpunim të thellë në arsimin e lartë që shtrihet përtej universiteteve në shkollat e mesme dhe fillore”,- tha Budimir.

Radoslav Gajanin, rektor i Universitetit të Banja Lukës, përmendi marrëdhënien e gjatë mes dy universiteteve, e cila filloi me krijimin e Institutit Konfuci në vitin 2018. Ai theksoi se partneriteti lehtësoi kuptimin më të madh të gjuhës kineze, kulturës dhe zhvillimeve ekonomike.

Luo Xiaoru, drejtor i Institutit Konfuci në Universitetin e Banja Lukës, e përshkroi institucionin si një platformë kryesore për nxitjen e shkëmbimeve akademike dypalëshe.

“Në gjashtë vitet e fundit, ne kemi parë një rritje të konsiderueshme në Institutin Konfuci, me një numër të madh studentësh të etur për të mësuar gjuhën dhe kulturën kineze. Kjo marrëveshje e re do të thellojë më tej bashkëpunimin tonë”,- tha Luo. (Elona)