Kina dhe Zvicra do të nisin negociatat për ngritjen e nivelit të MTL-së së tyre
2024-07-02 20:44:30

Foto nga Ministria e Tregtisë e Kinës

Foto nga Ministria e Tregtisë e Kinës

Kina dhe Zvicra nënshkruan të hënën një memorandum mirëkuptimi dhe ranë dakord të fillojnë zyrtarisht negociatat për ngritjen e nivelit të marrëveshjes së tregtisë së lirë (MTL) kino-zvicerane sa më shpejt të jetë e mundur, sipas Ministrisë kineze të Tregtisë. 

Ministri kinez i Tregtisë Wang Wentao zhvilloi bisedime me këshilltarin federal zviceran Guy Parmelin, gjithashtu kreu i Departamentit Federal të Çështjeve Ekonomike, Arsimit dhe Kërkimeve të hënën, duke diskutuar lidhur me zhvillimin e  marrëdhënieve ekonomike e tregtare kino-zvicerane. 

Wang theksoi lidhjet e ngushta ekonomike dhe plotësueshmërinë e madhe midis dy vendeve, si edhe ndikimin pozitiv të MTL-së dypalëshe gjatë dekadës së kaluar në rritjen e tregtisë dhe investimeve.

Pala kineze shprehu gatishmërinë e saj për të punuar me palën zvicerane për të zbatuar konsensusin e rëndësishëm ekonomik dhe tregtar të arritur nga krerët e të dy vendeve. 

Wang bëri thirrje për nisjen e shpejtë të negociatave për ngritjen e nivelit të MTL-së kino-zvicerane, për të përmirësuar cilësinë e bashkëpunimit ekonomik dypalësh. 

Foto nga Ministria e Tregtisë e Kinës

Foto nga Ministria e Tregtisë e Kinës

Ai i kërkoi gjithashtu palës zvicerane të vijojë të ndjekë parimet e tregtisë së lirë, të kundërshtojë proteksionizmin e unilateralizmin dhe të sigurojë edhe më tej një mjedis të drejtë e të hapur investimesh për ndërmarrjet kineze.

Nga ana e tij, Parmelin vuri në dukje që Kina është një nga partneret më të rëndësishme tregtare të Zvicrës, vlerësoi rolin pozitiv të MTL-së kino-zvicerane dhe u shpreh se komuniteti zviceran i biznesit mirëpret përmirësimin e kësaj MTL-je. 

Ai tha se, si një ekonomi e hapur, Zvicra ka kundërshtuar vazhdimisht proteksionizmin e kufizimet në bashkëpunimin tregtar dhe është e gatshme të forcojë bashkëpunimin me Kinën në politikat rregullatore dhe mbrojtjen e pronësisë intelektuale për të krijuar një mjedis të drejtë dhe jodiskriminues biznesi.

Takimi u ndoq nga pothuajse 30 përfaqësues nga shoqatat zvicerane të biznesit, të tilla si Federata Zvicerane e Biznesit, "Swissmem" dhe Federata e Industrisë Zvicerane të Orëve, si dhe kompanitë, duke përfshirë "Nestle", "Novartis" dhe "Glencore". 

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Zvicra është partnerja e gjashtë më e madhe tregtare e Kinës në Evropë dhe Kina është partnerja më e madhe tregtare e Zvicrës në Azi. Në vitin 2023, vëllimi i tregtisë midis Kinës dhe Zvicrës ishte 59.5 miliardë dollarë amerikanë, nga të cilët eksportet në Zvicër ishin 5.74 miliardë dollarë amerikanë dhe importet nga Zvicra 53.76 miliardë dollarë amerikanë.

Tregtia midis të dy vendeve arriti në 16.76 miliardë dollarë amerikanë gjatë dy muajve të parë të këtij viti, me një rritje 90.3 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, treguan të dhënat zyrtare.