Kina ndan fonde për punën kundër përmbytjeve
2024-06-28 11:27:50

Foto nga CFP

Foto nga CFP

Autoritetet kineze kanë njoftuar ndarjen e 496 milionë juanëve (rreth 69.59 milionë dollarë amerikanë) nga fondi i ndihmës ndaj fatkeqësive natyrore për të ndihmuar përpjekjet për kontrollin e përmbytjeve në disa zona të vendit. Fondet emergjente janë ndarë bashkërisht nga Ministria e Financave dhe Ministria e Menaxhimit të Emergjencave, sipas një deklarate të publikuar të enjten, përcjellë nga “Xinhua”.

Më parë, të dy departamentet kishin akorduar tashmë 346 milionë juanë për të mbështetur masat që synojnë luftimin e përmbytjeve.

Fondet do të përdoren për të mbështetur punën e kontrollit të përmbytjeve dhe fatkeqësive në Zhejiang, Anhui, Fujian, Jiangxi, Hubei, Hunan, Guizhou, Guangdong dhe Guangxi.

Ministria njoftoi se fondet e alokuara do të kanalizohen për të mbështetur operacionet e kërkimit dhe shpëtimit, evakuimin e njerëzve të prekur, zbulimin e fatkeqësive dytësore dhe riparimin e shtëpive të dëmtuara.

Reshjet e vazhdueshme të shiut kanë goditur shumë nga rajonet e Kinës këtë verë, duke dëmtuar rrugët dhe ndërtesat dhe duke shkaktuar edhe viktima.

Shtabi Shtetëror i Kinës për Kontrollin e Përmbytjeve dhe Ndihmën ndaj Thatësirës ngriti të hënën reagimet emergjente ndaj përmbytjeve në nivelin III në provincat Zhejiang, Anhui, Jiangxi dhe Hunan, pas një vendimi nga Observatori Kombëtar për të lëshuar alarme të kuqe për stuhi shiu në këto zona.

Zëvendëskryeministri kinez, Zhang Guoqing, bëri thirrje për përgjigje të fuqishme emergjente dhe përpjekje për të ndihmuar me përmbytjet dhe thatësirën që prekin disa pjesë të vendit.

Ai bëri thirrje për përpjekje për të forcuar udhëheqjen organizative dhe koordinimin e përgjithshëm, si dhe iniciativa për të vendosur paraprakisht personelin dhe materialet e emergjencës, në mënyrë që të jenë plotësisht të përgatitur për punën e shpëtimit dhe të ndihmës në fatkeqësi në rast të rrugëve të shkatërruara, rrjeteve të dëmtuara dhe ndërprerjeve të energjisë elektrike.

Kina ka një sistem reagimi emergjent me katër nivele të kontrollit të përmbytjeve, me nivelin I që është përgjigjja më urgjente dhe një sistem paralajmërues moti me katër nivele, të koduar me ngjyra, ku e kuqja përfaqëson paralajmërimin më të rëndë, e ndjekur nga portokallia, e verdha dhe blu. (Irma)