Kina lëshon satelitin e ri astronomik të zhvilluar në bashkëpunim me Francën
2024-06-23 15:37:51

Kina lëshoi të shtunën një satelit astronomik, rezultat i punës gati 20-vjeçare midis shkencëtarëve kinezë dhe francezë, për të kapur shpërthimet e rrezeve gama në skajet më të largëta të universit.

Administrata Kombëtare e Hapësirës në Kinë bëri të ditur se sateliti, Monitoruesi i Objekteve të Ndryshueshme me Shumë Breza në Hapësirë (SVOM), u lëshua nga një raketë Long March-2C nga qendra e nisjes satelitore Xichang në provincën Sichuan të Kinës jugperëndimore, shkruan “Xinhua”.

“Ne presim me padurim disa zbulime të rëndësishme, të tilla si shpërthimet më të hershme të rrezeve gama që ndodhën kur universi ishte ende në fillimet e tij, të cilat do të na ndihmojnë të studiojmë evolucionin kozmik”,- deklaroi Wei Jianyan, specialisti kryesor kinez i SVOM, zyrtar në Observatorët Kombëtarë Astronomikë të Akademisë Kineze të Shkencave.

Shpërthimet e rrezeve gama, zakonisht shumë të shkurtra në kohëzgjatje, janë fenomenet shpërthyese më të dhunshme në univers pas Big Bengut, dhe ato ndodhin gjatë rënies së yjeve masive ose bashkimit të yjeve kompakt binare. “Vëzhgimi i thellë dhe hulumtimi mbi shpërthimet e rrezeve gama do të na ndihmojë të kuptojmë disa nga pyetjet themelore të shkencës”,- tha Wei. Objektivat kryesore shkencore të SVOM-it përfshijnë kërkimin dhe gjetjen e shpejtë të shpërthimeve të ndryshme të rrezeve gama, matjen dhe studimin gjithëpërfshirës të vetive të rrezatimit elektromagnetik të këtyre shpërthimeve, studimin e energjisë së errët, evolucionin e universit përmes këtyre shpërthimeve dhe vëzhgimin e sinjaleve elektromagnetike të lidhura me valët gravitacionale, sipas Wei.

Bertrand Cordier, eksperti kryesor francez i SVOM-it, i cili punon në Komisionin francez të Energjive Alternative dhe Energjisë Atomike, tha: “Duke përdorur shpërthimet e rrezeve gama, si një mjet për të vëzhguar universin e hershëm, ne mund të vëzhgojmë ndoshta yjet e parë. Kjo është shumë interesante, sepse kjo është mënyra e vetme për të marrë informacion për universin në këtë moshë”.

Katër instrumente shkencore janë instaluar në satelit, dy prej të cilave janë zhvilluar nga Kina dhe dy nga Franca. Ato mund të realizojnë një fushë të madhe shikimi dhe vëzhgim me saktësi të lartë.