Dhurimet vullnetare të gjakut në Kinë shënuan rekord të lartë në vitin 2023
2024-06-16 11:47:01

Foto nga CFP

Foto nga CFP

Në vitin 2023, Kina dëshmoi një rekord të lartë në dhurimet vullnetare të gjakut, me një total prej 16.99 milionë dhurimesh, një rritje prej 5.9 për qind nga viti 2022, sipas të dhënave nga Komisioni Kombëtar i Shëndetit të Kinës, cituar nga “Xinhua”.

Statistikat u bënë publike në një event kombëtar të zhvilluar në Jinan, kryeqendra e provincës Shandong të Kinës lindore, në kuadër të Ditës Botërore të Dhurimit të Gjakut.

Dhurimet vullnetare të gjakut janë burimi kryesor i përdorimit klinik të gjakut në Kinë. Sipas një raporti të publikuar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, Kina renditet ndër vendet me nivel të lartë global për dhurimin vullnetar të gjakut, cilësisë së gjakut dhe niveleve të sigurisë dhe standardeve për përdorimin klinik të gjakut.

Megjithatë, Wu Depei, një hematolog veteran nga provinca lindore e Jiangsu, paralajmëroi se vendi përballet me një çekuilibër furnizim-kërkese për gjak. Sipas tij, është e domosdoshme të adresohen mungesat strukturore dhe sezonale të gjakut.

Një zyrtar i lartë i Komisionit Kombëtar të Shëndetit u zotua të përmirësojë sistemin ligjor të Kinës për menaxhimin e dhurimit dhe përdorimit të gjakut, duke nënvizuar nevojën për të forcuar menaxhimin klinik të përdorimit të gjakut në institucionet mjekësore dhe për të optimizuar përdorimin e gjakut.

Siç përcaktohet në Ligjin e Kinës për Dhurimin e Gjakut, i cili hyri në fuqi në vitin 1998, Kina inkurajon qytetarët e shëndetshëm të moshës 18 deri në 55 vjeç që të dhurojnë vullnetarisht gjak. (Irma)