Kina: Vërejtjet e takimeve trepalëshe SHBA-Japoni-Republika e Koresë janë poshtëruese
2024-06-04 12:14:05

Foto nga CFP

Foto nga CFP

Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme kineze hodhi poshtë të hënën, vërejtjet negative të SHBA-së, Japonisë dhe Republikës së Koresë (ROK), duke thënë se këto vende sulmuan dhe fyen qëllimisht Kinën, përmes takimeve të tyre trepalëshe. 

Ministrat e mbrojtjes së tre vendeve, u mblodhën të dielën për një takim trepalësh në Singapor. Ata dhanë një deklaratë të përbashkët për shtyp, në të cilën kritikuan Kinën për Tajvanin, Detin e Kinës Jugore dhe çështje të tjera. Vërejtje të ngjashme për Kinën u bënë edhe në një takim të premten në Uashington, mes zëvendësministrave të jashtëm.

Mao Ning, zëdhënëse e ministrisë, tha se tre vendet po promovojnë "Strategjinë e Indo-Paqësorit" përmes takimeve trepalëshe. Ato po ndërhyjnë ashpër në punët e brendshme të Kinës për çështjen e Tajvanit, po sulmojnë dhe shpifin qëllimisht për çështjet detare, duke mbjellur mosmarrëveshje midis Kinës dhe vendeve fqinje. 

Ajo theksoi se parimi i një Kine është një konsensus universal i komunitetit ndërkombëtar, si edhe një normë bazë në marrëdhëniet ndërkombëtare. Tajvani është çështje e brendshme e Kinës, ndaj nuk duhet të ketë ndërhyrje të jashtme.

Mao tha se Kina do të mbrojë gjithmonë sovranitetin e saj territorial dhe të drejtat e interesat detare. Kina është e përkushtuar për të zgjidhur siç duhet çështjet dypalëshe detare, përmes dialogut dhe konsultimit. "Ne kundërshtojmë me vendosmëri ndërhyrjen e vendeve jashtë rajonit, si edhe përshkallëzimin e situatës."