Pagesat e shpejta, projekti pilot nis në 3 qytete
2024-04-24 16:36:13

Pagesat e shpejta (Foto ATSH)

Ministrja e Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit, Delina Ibrahimaj, njoftoi për nisjen e projektit-pilot për pagesat e shpejta elektronike, bëri të ditur ATSH. Projekti do të aplikohet në tre qytete : Tiranë, Përmet dhe Dibër. Ai konsiderohet  një hap transformues për shërbime financiare në ekonominë shqiptare.

Në 3 qytetet e zgjedhura, 300 individë do të jenë pjesë e skemës pilot, të cilët do të kryejnë pagesa përmes aplikacioneve të ofruara nga bankat dhe parasë elektronike, në bizneset e vogla dhe të mesme, pranë zonave ku banojnë.

Të financuar nga qeveria shqiptare, për një periudhë 4-mujore, qytetarët e përzgjedhur do të kryejnë pagesa të shpejta elektronike nëpërmjet telefonit të tyre, duke skanuar kodin e tyre QR të gjeneruar nga sistemi fiskalizimit. Ajo bëri të ditur se, individët e përfshirë në këtë projekt pilot mund të jenë moshave dhe me angazhime të ndryshme, të cilët do të provojnë dhe përfitojnë lehtësi nga ky proces i pagesave të shpejta.

Pagesat e shpejta do të mundësojnë që transaksionet të jenë më të shpejta, më të sigurta dhe më pak të kushtueshme, tha mministrja Ibrahimaj.(Fatosi)