Sondazhi: 80 % vlerësojnë ndikimin ndërkombëtar të Kinës
2024-05-02 16:01:17

Me rastin e vizitës së presidentit kinez Xi Jinping në Francë, Grupi Mediatik i Kinës, CGTN-i dhe Universiteti Renmin i Kinës, nëpërmjet Institutit Ndërkombëtar të Kërkimeve të Komunikimit “Epoka e Re”, kryen një sondazh me 1513 veta nga Franca. Sondazhi tregon se 80.2 për qind e pjesëmarrësve francezë besojnë se Kina është një vend i madh e me ndikim, dhe 70.3 për qind e konsiderojnë Kinën si një vend të suksesshëm.


Arritjet e Kinës vlerësohen lart

Perspektivat e bashkëpunimit dypalësh kino-francez janë premtuese

Zhvillimi i Kinës është një mundësi për botën, përfshirë Francën. Sondazhi tregon se të anketuarit francezë i vlerësojnë lart arritjet e zhvillimit ekonomik me cilësi të lartë dhe të hapjes së nivelit të lartë të Kinës. 91.5 për qind e të anketuarve vlerësojnë fuqinë e madhe ekonomike të Kinës, 95.9 për qind e të cilëve të moshës 18 deri në 24 vjeç dhe 97.2 për qind të shtresës me të ardhura të larta. Përveç kësaj, 89.8 për qind e të pyeturve besojnë se ekonomia kineze po rritet me shpejtësi dhe 72.7 për qind pajtohen se Kina ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në ekonominë botërore. Ndërkohë, 88.8 për qind besojnë se Kina është një fuqi në shkencë e teknologji, dhe kjo pikëpamje arrin përkatësisht në 89.3 për qind dhe 89.4 për qind të grupmoshës 45 - 54 vjeç dhe mbi 55 vjeç. 76.8 për qind e të anketuarve i vlerësojnë përpjekjet e Kinës në risitë tekniko-shkencore në vitet e fundit dhe 71.4 për qind e tyre besojnë se rritja e shpejtë e Kinës në shkencë dhe teknologji ka sjellë një shtysë të re në inovacionin global tekniko-shkencor.

Në 60 vjet që nga vendosja e marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Kinës dhe Francës, tregtia dypalëshe midis dy vendeve është rritur më shumë se 800 herë. Aktualisht, Franca është partnerja e tretë më e madhe tregtare e Kinës dhe burimi i tretë më i madh i investimeve reale në Bashkimin Evropian, ndërsa Kina është partnerja kryesore tregtare e Francës në Azi dhe e shtata më e madhe në botë. Për më tepër, Franca do të jetë e ftuara e nderit në Panairin Ndërkombëtar për Tregtinë në Shërbime të Kinës të këtij viti dhe në Ekspozitën e Shtatë Ndërkombëtare të Importit të Kinës. Zhvillimi ekonomik me cilësi të lartë dhe hapja e nivelit të lartë të Kinës do të sjellin më shumë mundësi për kompanitë franceze. Në sondazh, 86.2 për qind e të anketuarve besojnë se ndërmarrjet kineze kanë një ndikim të madh në tregun ndërkombëtar dhe 66.2 për qind e tyre mendojnë se mjedisi i biznesit në Kinë është tërheqës për investitorët. 56.7 për qind të tjerë thonë se Kina është vendimtare për qëndrueshmërinë e zinxhirëve globalë industrialë e të furnizimit dhe 58.8 për qind mendojnë se përmasat e mëdha të tregut kinez ofrojnë mundësi të gjera zhvillimi për kompanitë franceze. Përveç kësaj, 65.8 për qind e pjesëmarrësve të moshës 18-24 vjeç pajtohen se Franca duhet të marrë pjesë aktive në projektet e bashkëpunimit ndërkombëtar të promovuara nga Kina.

Bashkëpunimi Kinë-Francë, model për botën

Potencial kolosal për thellimin e bashkëpunimit Kinë-Francë me përfitim të ndërsjellë

Kryetari i shtetit i Kinës Xi Jinping u shpreh me rastin e 60-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes Kinës dhe Francës: “Historia e veçantë e marrëdhënieve kino-franceze ka formuar ‘shpirtin unik Kinë-Francë’”. Ndërsa presidenti francez Emmanuel Macron është shprehur gjithashtu që "kemi shumë për të bërë së bashku", gjë që tregon rëndësinë e marrëdhënieve ndërmjet Kinës dhe Francës. Si vend anëtar i përhershëm i Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe fuqi e madhe me traditë pavarësie dhe autonomie, politika e jashtme e Kinës është njohur dhe pranuar nga shumica e të anketuarve francezë. Midis tyre, 76.7 % besojnë se Kina është një vend strategjik i pavarur dhe ka ndjekur një politikë të jashtme të pavarur. 75.3 për qind e atyre që u përgjigjën, të moshës 18-24 vjeç, thonë se Kina është një vend i përgjegjshëm dhe shpresojnë që ajo të luajë një rol më të madh në qeverisjen globale.

Në sondazh, 71.7 % e të pyeturve besojnë se marrëdhëniet Kinë-Francë janë ndër marrëdhëniet më të rëndësishme dypalëshe në botë, 61.6 % janë optimistë për zhvillimin e ardhshëm të këtyre marrëdhënieve dhe presin që të dyja palët të forcojnë më tej bashkëpunimin në fushën ekonomike e tregtare, shkencore e teknologjike dhe çështjet gjeopolitike. 65.1 % besojnë gjithashtu se bashkëpunimi i ngushtë mes dy vendeve në çështjet ndërkombëtare është i favorshëm për paqen dhe zhvillimin botëror.

Parlamenti Europian e ka përcaktuar Kinën si “konkurrente” dhe “rivale institucionale” të BE-së, gjë për të cilën të anketuarit francezë nuk janë dakord. Sipas sondazhit, vetëm 18.5 % e pjesëmarrësve besojnë se "dallimet janë më të mëdha se interesat e përbashkët" dhe numri i atyre që besojnë se "interesat e përbashkët janë më të mëdha se dallimet" është dy herë më i madh sesa i atyre që mendojnë se "dallimet i tejkalojë interesat e përbashkët".

Miqësia ndërmjet  vendeve qëndron te popujt, dhe themeli i diplomacisë qëndron në shkëmbimet njerëzore. Lidhjet njerëzore Kinë-Francë tani po kalojnë nga “faza e nisjes” në “fazën e nxehjes”. 82.4 % e pjesëmarrësve në sondazh kanë pasur kontakt në njëfarë mënyre me produktet kulturore kineze. 62.7 % e tyre dëshirojnë të bëjnë vizitë në Kinë, dhe peizazhet natyrore (69 %), kuzhina kineze (63.1 %) dhe historia e kultura (61.6 %) janë ato për të cilat francezët kanë më shumë interes.

Ky sondazh është i bazuar në ndarjen e grupmoshave sipas regjistrimit të popullsisë në Francë. Ai përmban disa pjesë, duke përfshirë mendimet mbi imazhin kombëtar të Kinës, politikat kombëtare të Kinës, marrëdhëniet Kinë-Francë, si dhe marrëdhëniet Kinë-Europë etj.