Zhang Ying: Zoti Vuçiç, kur presidenti Xi Jinping vizitoi Serbinë për herë të parë në vitin 2016, pata fatin ta dëshmoj këtë moment historik. Jam jashtëzakonisht krenar që kam mundësinë ta dëshmoj sërish një moment kaq të rëndësishëm. Çfarë do të thotë për ju të presësh përsëri presidentin Xi Jinping në Beograd pas tetë vjetësh?
Vuçiç: Më kujtohet ende çdo detaj i vizitës madhështore të presidentit Xi Jinping në vitin 2016. Mbaj mend që hëngrëm drekë në fabrikën e çelikut në Smederevo dhe ai ishte aq i përulur dhe i sjellshëm, pavarësisht se do të jepte një ndihmë të madhe për Serbinë. Siç mund ta mbani mend, atëherë kishte vështirësi të mëdha për funksionimin dhe rritjen e fabrikave të çelikut, pasi po përballeshim me humbje të mëdha. Ne shkuam së bashku në fabrikën e çelikut dhe miku ynë, vëllai ynë, presidenti Xi Jinping, u tha të gjithëve se do të përpiqeshim ta zgjidhnim problemin. Në të vërtetë, problemi u zgjidh. Fabrika e çelikut krijoi 5.000 vende pune, që do të thotë se shpëtoi të paktën më shumë se 10.000 vende pune dhe 10.000 familje. Ishte shumë e rëndësishme, edhe pse vetëm një nga shumë momentet historike të miqësisë sonë.
Zhang Ying: Si reagojnë njerëzit nga të gjitha sferat e jetës në Serbi për vizitën e ardhshme të presidentit Xi Jinping? Cili mendoni se është qëndrimi i shoqërisë dhe qeverisë serbe ndaj kësaj vizite?
Vuçiç: Jemi duke bërë shumë përgatitje dhe kemi shumë ëndrra. Për të menaxhuar një vend, duhet të kesh aspirata të larta dhe të vendosësh vazhdimisht objektiva të reja. Për t’i arritur këto synime dhe objektiva të reja, partneri ynë më i mirë ka qenë dhe do të jetë gjithmonë Republika Popullore e Kinës dhe presidenti Xi Jinping. Sepse presidenti Xi Jinping i mban premtimet e tij. Në sytë e mi, ai është i përulur dhe i sjellshëm dhe nuk bën kurrë premtime boshe. Pas bën një angazhim, presidenti Xi Jinping do ta mbajë fjalën e tij. Një gjë tjetër shumë e rëndësishme është se ne nënshkruam një marrëveshje të tregtisë së lirë në Pekin, e cila është një gjë e madhe për ne. Duke qenë se vëllimi i tregtisë mes dy vendeve ka arritur në 6.1 miliardë dollarë amerikanë, unë besoj se këto shifra mund të katërfishohen apo edhe më shumë në dekadën e ardhshme.
Zhang Ying: A do të mund të marrim trenin për në Subotica në dhjetor?
Vuçiç: Unë mendoj se kompanitë kineze janë vërtet të mahnitshme, ato punojnë me tre turne, gjë që është e rrallë në Evropë sot. Ata po bëjnë një gjë madhështore. Projekti do të përfundojë në fund të shtatorit ose në fillim të tetorit dhe do të pasohet nga testimi i shpejtësisë. Kompania Hekurudhore e Gjermanisë “Deutsche Bahn” dhe të tjerë do të marrin pjesë në test. Kjo hekurudhë është shumë e rëndësishme për serbët, pasi njerëzit mund të arrijnë në Suboticë nga Beogradi për 1 orë e 15 minuta, gjë që është e shumëpritur. Tani, nëse shkoni me automjet privat nga qendra e Beogradit në atë të Suboticës, duhen të paktën 2 orë. Por me tren duhen vetëm 1 orë e 15 minuta, duke shijuar peizazhin dhe shërbimet e mrekullueshme të trenit kinez me shpejtësi të lartë. (Xu Guang)