Mozaiku i Tiranës, qendër ekspozuese e pasurive kulturore përmes teknologjive moderne
2024-04-24 16:20:30

Mozaiku i Tiranës (Foto ATSH)

Ministri i Ekonomisë, Kulturës e Inovacionit Blendi Gonxhja, ka ndarë në rrjetet sociale pamje nga kantieri i punës, për Mozaikun e Tiranës, shkruan ATSH. Ai  do të kthehet në një qendër ku do të ekspozohen për publikun mozaikët e mbyllur të periudhës së antikitetit që gjenden në sitet më të rëndësishme si Apollonia, Butrinti, Bylis, Durrësi, Elbasani, dhe shumë të tjera.

“Kjo iniciativë e shkëlqyer do të lejojë qytetarët të shijojnë pasurinë kulturore të vendit nëpërmjet teknologjive moderne, duke e bërë atë të arritshme për një gamë të gjerë publiku”, shkroi ministri Blendi Gonxhja.

Mozaiku i Tiranës do të ofrojë një grafik të përcaktuar vjetor për publikun dhe turistët e shumtë. Mozaiku i Tiranës mendohet të ketë qenë pjesë e një banese të tipit rural (vila rustica) të ndërtuar në shekullin I pas Krishtit. Mozaiku përmban motive gjeometrike e floreale, por edhe motive tipike të Krishtërimit të hershëm.(Fatosi)