Aleanca e Melonit shënon fitore në Italinë e Jugut
2024-04-24 17:16:31

Aleanca e Melonit (Foto ATSH)

Aleanca e Melonit (Foto ATSH)

Aleanca e krahut të djathtë të kryeministres italiane, Giorgia Meloni ka shënuar një fitore në zgjedhjet rajonale që shihen si një barometër i opinionit kombëtar përpara zgjedhjeve evropiane në qershor, shkruan ATSH.

Që nga tetori 2022, “Fratelli d’Italia” (Vëllezërit e Italisë) ultra të djathtë nën drejtimin e Meloni kanë qeverisur në nivel kombëtar së bashku me partinë populiste të krahut të djathtë “Lega” të Matteo Salvinit dhe partinë konservatore “Forza Italia”. Katërmbëdhjetë nga 20 rajonet e Italisë kanë qeveri të qendrës së djathtë.

Zgjedhjet në Bazilikata u panë si një test i opinionit publik përpara zgjedhjeve evropiane të qershorit. Në sondazhet e fundit kombëtare, “Fratelli” i Meloni u rendit në vendin e parë me 28,5%.

Ata pasohen nga Socialdemokratët (PD) e kreut të opozitës Elly Schlein me 21,2% dhe “Lëvizja Pesë Yjet” e ish-kryeministrit Giuseppe Conte me 15,9%.(Fatosi)