Ligji për Ruandën, OKB thirrje Britanisë: Rimendojeni, do ndikojë keq në mbrojtjen e refugjatëve!
2024-04-24 17:14:24

foto nga CFP

 Filippo Grandi  / foto nga CFP

Dy zyrtarë të lartë të OKB-së i kanë bërë thirrje Mbretërisë së Bashkuar të anulojë planin e saj për të zhvendosur azilkërkuesit në Ruanda, njofton RTSH.

Në një deklaratë të përbashkët, dy komisionerët e lartë të OKB-së, Filippo Grandi dhe Volker Turk, thonë se politika do të ketë një ndikim të dëmshëm në mbrojtjen e refugjatëve dhe të drejtave të njeriut në mbarë botën.

Volker Turk / foto nga CFP

Grandi thotë se mbrojtja e azilkërkuesve kërkon që të gjitha vendet të respektojnë detyrimet e tyre. Por marrëveshja e Mbretërisë së Bashkuar "kërkon të zhvendosë përgjegjësinë për mbrojtjen e refugjatëve, duke minuar bashkëpunimin ndërkombëtar dhe duke vendosur një precedent shqetësues global", thotë ai në deklaratë.

Parlamenti britanik ka miratuar projektligjin e kryeministrit Rishi Sunak, pas një seance natën vonë dhe disa muaj debatesh. Projektligji përcakton Ruandën një vend të sigurt dhe është një pjesë kyçe e planeve të qeverisë për të dërguar disa azilkërkues atje. Ai u kritikua ashpër nga partitë opozitare dhe grupet e të drejtave, por pas disa debatesh, Lordët hoqën dorë nga kundërshtimet e tyre.(Fatosi)

Parlamenti i Britanisë / foto nga CFP