Përkujtohet Ibrahim Kodra, postkubisti i fundit në Europë
2024-04-23 16:07:33

Piktori Ibrahim Kodra (Foto ATSH)

Piktori Ibrahim Kodra (Foto ATSH)

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, i bëri homazh njërit prej piktorëve më të rëndësishëm shqiptarë, Ibrahim Kodres, duke ndarë në rrjetet sociale një video dedikuar “postkubistit të fundit në Evropë”, citon ATSH. “Nderim e respekt për artistin e jashtëzakonshëm Ibrahim Kodra”, shkroi ministri Gonxhja.

I lindur më 22 prill të vitit 1918 në Ishëm, të Shqipërisë, ai studioi në Milano, në një nga akademitë më të mira të kohës, në Akademinë e Arteve të Bukura të Brera-s.

Kodra ka qenë një piktor shumë prodhimtar. Ai ka lënë më shumë se 6 mijë piktura, të cilat gjenden në Muzeun e Vatikanit, në Dhomën e Deputetëve, në Parlamentin Italian, në Muzeun Kodra në Lugano (Zvicër), në Muzeun Kodra në Milano (Itali), në muzeume të tjera si dhe koleksione private anembanë botës.

I vlerësuar si postkubist nga kritika, Ibrahim Kodra në 1996 mori titullin “Nderi i Kombit” dhe në 1997, kur sapo kishte pikturuar “Shqipëria fantastike”, u shpall Konsull Nderi dhe iu dha pasaporta diplomatike e Republikës së Shqipërisë.

Vepra e tij  “Shqipëria fantastike” e realizuar në vitin e trazuar 1997, portretizonte Shqipërinë si një parajsë mesdhetare.