MPJ:5 synimet kryesore për vizitën e Blinken në Kinë
2024-04-23 19:34:09

Foto nga VCG

Një zyrtar i Ministrisë së Jashtme kineze tha të hënën për mediat se Kina do të fokusohet në pesë qëllime kryesore gjatë vizitës së ardhshme të Sekretarit të Shtetit të SHBA Antony Blinken në Kinë.

Pesë synimet përfshijnë krijimin e mirëkuptimit, forcimin e dialogut, administrimin efektiv të dallimeve, promovimin e bashkëpunimit reciprokisht të dobishëm dhe marrjen e përbashkët të përgjegjësive si vende kryesore, tha Yang Tao, drejtor i përgjithshëm i departamentit të çështjeve të Amerikës së Veriut dhe Oqeanisë në Ministrinë e Jashtme.

Për sa i përket krijimit të mirëkuptimi, Yang tha se Kina dhe Shtetet e Bashkuara nuk mund të ndalojnë shkëmbimet apo kontaktet dhe as nuk duhet të bien në konflikt dhe konfrontim.

Marrëdhëniet kino-amerikane duhet të jenë të qëndrueshme, të përmirësohen dhe të ecin përpara në një rrugë të qëndrueshme, të shëndoshë, ndërkohë që Kina ka interesat, parimet dhe linjat përfundimtare që duhen mbështetur, theksoi ai.

Yang vuri në dukje se ekipet diplomatike të të dy palëve do të vazhdojnë konsultimet mbi parimet udhëzuese të marrëdhënieve Kinë-SHBA mbi bazën e shtatë pikave të konsensusit, përkatësisht respektin reciprok, bashkëjetesën paqësore, ruajtjen e komunikimit, parandalimin e konfliktit, respektimin e Kartës së OKB-së, zhvillimin e bashkëpunimit në fushat me interes të përbashkët dhe menaxhimin me përgjegjësi të faktorëve konkurrues në marrëdhëniet dypalëshe.

Duke vënë në dukje se më shumë se 20 konsultime institucionale që u krijuan ose rifilluan pas takimit mes dy krerëve të shteteve në San Francisko kanë vazhduar të funksionojnë, Yang tha se dera e Kinës për dialog dhe komunikim ka qenë gjithmonë e hapur. Ai i kërkoi SHBA-ve të mos thonë një gjë dhe të bëjnë një tjetër, dhe të heqin dorë nga iluzioni i trajtimit të Kinës "nga një pozicion i fuqisë".

Për sa i përket menaxhimit efektiv të dallimeve, zyrtari kinez tha se ka pasur, ka dhe do të ketë gjithmonë dallime midis Kinës dhe SHBA-së, por ata nuk duhet të lejojnë që këto dallime të dominojnë marrëdhëniet dypalëshe.

Kina do të fokusohet në sqarimin e pozicionit të saj solemn dhe në bërjen e kërkesave të qarta për çështjet që kanë të bëjnë me Tajvanin, tregtinë, shkencën dhe teknologjinë si dhe Detin e Kinës Jugore, tha Yang.

Për sa i përket marrjes së përbashkët të përgjegjësive si vende kryesore, Yang vuri në dukje se SHBA-ja duhet të punojë me anëtarët e tjerë të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për të përmbushur përgjegjësitë e veta ndërkombëtare, të mbështesë Rezolutën 2728 të Këshillit të Sigurimit, të nxitë një armëpushim gjithëpërfshirës në Gaza sa më shpejt të jetë e mundur dhe të shpëtojë jetët e popullit palestinez. "Kina do t'i bëjë kërkesa të qarta palës amerikane në këtë drejtim," tha Yang.

Ai gjithashtu i kërkoi SHBA-së që të reflektojë mbi përgjegjësitë e saj në krizën e Ukrainës dhe të përmbahet nga sulmet dhe njollosja e marrëdhënieve normale midis Kinës dhe Rusisë, të ndalojë hedhjen  baltë ndaj Kinës dhe të ndalojë vendosjen e sanksioneve të njëanshme ndaj disa kompanive dhe individëve kinezë.

Çështja e Ukrainës nuk është një çështje midis Kinës dhe SHBA-së dhe SHBA-ja nuk duhet ta kthejë atë në një çështje midis dy vendeve, shtoi ai. (Çang Çuo)