FMN e BB vlerësojnë qëndrueshmërinë e Shqipërisë, financim për reformat
2024-04-23 11:53:11

FMB dhe BB vlerësim për Shqipërinë (Foto ATSH)

Në mbledhjet e Pranverës të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe të Grupit të Bankës Botërore (BB), në Uashington u vlerësuan politikat e ndjekura nga autoritetet shqiptare, teksa ofruan edhe mbështetje dhe financim për vijimin e reformave , shkruan ATSH.

Shqipëria u përfaqësua në këto takime nga një delegacion i përbashkët i përbërë nga ministri i Financave, Ervin Mete, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, si dhe drejtues të tjerë të lartë të dy institucioneve.

Gjatë takimeve me përfaqësuesit e lartë të FMN-së dhe BB-së, ministri Mete dhe Guvernatori Sejko i njohën të pranishmit me zhvillimet më të fundit në ekonominë shqiptare, reformat e ndërmarra, si edhe pritshmëritë për periudhën në vazhdim.

Ata theksuan se Shqipëria po kalon një moment të mirë ekonomik. Viti 2023 u mbyll me uljen e mëtejshme të borxhit publik, i cili zbriti në nivelin 59.2%, shifra rekord të investimeve të huaja direkte, të cilat arritën në afro 1.5 miliardë euro, me një numër të lartë vizitorësh të huaj, trend i cili ka vijuar edhe në muajt e parë të këtij viti, si edhe me norma të ulëta të papunësisë. Gjithashtu sektori bankar paraqitet i mirëkapitalizuar dhe me norma të larta likuiditeti.

Inflacioni ka zbritur në objektivin e Bankës së Shqipërisë brenda një kohe relavitisht të shpejtë, duke arritur në 2.3% në muajin mars, kjo edhe si pasojë e ndërhyrjeve dhe politikës monetare të ndjekur nga BSH, që ka pasur si objektiv amortizimin e goditjeve dhe zbutjen e presioneve të brendshme inflacioniste.

Përfaqësuesit e lartë të FMN-së dhe BB-së e vlerësuan pozitivisht rolin dhe politikën e ndjekur nga autoritetet shqiptare. Ata veçuan si një zhvillim pozitiv rritjen e vlerësimit për herë të parë të agjencisë Standard&Poor’s për kreditin e Shqipërisë, i cili u pasua nga një rishikim në rritje i perspektivës edhe nga agjencia Moody’s, si edhe theksuan se dalja e vendit nga lista gri e FATF/MONEYVAL është gjithashtu një lajm me efekte shumë pozitive për Shqipërinë.(Fatosi)