Programi për kujdesin e shikimit, Koçiu: Mbi 55 mijë fëmijë kryen kontrolle
2024-04-23 15:17:18

Problemet e shikimit  (Foto ATSH)

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu informoi se në kuadër të programit kombëtar për kujdesin e shikimit, 55 030 fëmijë kanë kryer kontrolle të rregullta përgjatë vitit mësimor, shtator 2023-prill 2024, njofton ATSH.

“7336 fëmijë kanë rezultuar me problematika në shikim, të cilët janë referuar për kontrolle më të specializuara te mjekët specialistë në strukturat shëndetësore”, tha Koçiu në një postim në rrjetet sociale.

Gjatë vitit 2024 rreth 220 mijë fëmijë do të mbështeten nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale në kuadër të programit të depistimeve të shikimit dhe kujdesit dentar në shkolla.

Programit kombëtar për kujdesin e shikimit u zbatua për herë të parë në vitin 2022 dhe garanton kujdesin për shikimin e fëmijëve që nga të porsalindurit deri te fëmijët e moshës 14-vjeçare, duke ofruar një kontroll periodik të syve.

Nëpërmjet këtij program synohet që të kapen në kohë të gjithë problematikat e shikimit të fëmijëve, duke mundësuar në kohë të hershme elementët e tjerë që kanë të bëjnë me korrektimin e shpejtë të syve dhe problematikave të thella të shikimit, që çojnë deri në verbëri.

Gjatë 2023 mbi 173 mijë fëmijë kanë përfituar nga ky program.(Fatosi)