Bashkëpunimi Kinë-Europë në makinat e energjisë së re
2024-04-20 20:48:50

Kina në vitin 2023 ishte eksportuesi më i madh i makinave në botë me rreth 1.2 milionë makina elektrike. Sipas Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë, në vitin 2030, shitjet e makinave elektrike do përbëjnë më shumë se 30% të totalit të shitjeve, krahasuar me 4% që është sot, ndërsa në vitin 2030 pritet që rreth 60% e shitjeve të këtyre makinave të jenë në Kinë, SHBA dhe Evropë.

Foto:VCG

Foto:VCG

Kina është kthyer tashmë në një aktor kryesor në treg për këtë produkt, gjë që e konfirmojnë edhe agjencitë më serioze globale të industrisë së prodhimit të makinave, të cilat theksojnë varësinë e kësaj industrie nga teknologjia kineze.

Në Evropë, në vitin 2023, rreth 35% e automjeteve elektrike erdhën nga Kina, partneri më i madh tregtar i Evropës për makinat elektrike dhe bateritë e tyre. Tashmë duket se po vjen një periudhë e artë për bashkëpunimin midis Kinës dhe Evropës në lidhje me makinat elektrike (dhe jo vetëm).

Prania e makinave elektrike kineze në tregun e Evropës është një dukuri e rëndësishme për industrinë e makinave që në fund të fundit reflekton fuqizimin e ekonomisë së Kinës në tërësi dhe atë të prodhimit të makinave në veçanti.

Arsyet kryesore të kësaj dukurie janë cilësia e lartë dhe çmimi i përshtatshëm i makinave kineze, duke ofruar paralelisht një vlerë përdorimi të pakrahasueshme për klientët, për shkak të karakteristikave dhe opsioneve që këto makina ofrojnë, si dhe për shkak të luksit të tyre, që ja kalon në disa raste edhe makinave të Porsche, Audi, Mercedes-Benz, BMW, etj. Kjo ka ardhur për shkak të krijueshmërisë, teknologjive inovative dhe standardeve që përdorin kompanitë kineze dhe aftësisë së tyre për t’u ndërkombëtarizuar shpejt dhe me efikasitet.  

Makinat elektrike kineze kanë një autonomi që varion tashmë nga 400 – 600 km me një karikim të shpejtë baterie. Çmimet e këtyre makinave luhaten midis 15.000 – 30.000 euro dhe në to gjenden të përfshira sisteme info-argëtuese të avancuara dhe oferta përbëhet nga dhjetra modele. Për më tepër, një nga aspektet kryesore të kohëve post moderne është rritja e ndërgjegjësimit të qytetarëve në lidhje me mjedisin dhe duket se makinat kineze e plotësojnë më së miri këtë nevojë të shoqërisë.

Foto:VCG

Foto:VCG

Evropa ka ndërmarrë disa angazhime në lidhje me mjedisin në tërësi dhe me emetimin e dioksidit të karbonit në atmosferë në veçanti. Deri në vitin 2050 angazhimi global është reduktimi i emetimit të dioksidit të karbonit dhe kthimi i Bashkimit Evropian në një zonë me emetim neutral të CO2.

Nga ana e saj, Kina ka qenë dhe është e angazhuar tërësisht në çështjet mjedisore dhe për këtë edhe mbështetja e qeverisë së saj ka qenë e madhe dhe e shumëanëshme, kryesisht për zbatimin e praktikave të qëndrueshme mjedisore, si përdorimi i materialeve të qëndrueshme, zvogëlimi i emetimit të CO2, menaxhimi shkencor i mbetjeve, në harmoni këto edhe me objektivat mjedisore në nivel global.

Në epokën e transformimit të tregut global të makinave, kompanitë e këtij sektori, përfshirë këtu edhe kompanitë evropiane po kërkojnë vende ku të instalohen për transformimin e tyre në kompani konkurruese dhe Kina është vendi më i përshtatshëm për këtë. Rruga kryesore për arritjen e këtij qëllimi është bashkëpunimi me sektorin kinez të prodhimit të makinave, bashkëpunim që tashmë ka dhënë rezultatet e para konkrete.

Disa nga arsyet kryesore që e detyrojnë industrinë evropiane (dhe jo vetëm) të prodhimit të makinave që të bashkëpunojë me këtë industri në Kinë janë (1) legjislacioni mbështetës kinez për investimet e huaja, (2) prodhimi me kosto të ulët i (a) baterive, (b) pikave të ngarkimit të tyre dhe (c) pikave të ndërrimit të baterive, (3) prirja e industrisë kinezë të prodhimit të makinave elektrike për diversifikim në modele dhe tipe që i përshtaten terrenit dhe sistemit rrugor ndërkombëtar, (4) punëtorët kinezë në tërësi dhe në këtë sektor janë të kualifikuar me aftësi, njohuri dhe kompetenca për të punuar në këtë industri, (5) Kina ka burime natyrore të pamata dhe të tëra lëndët e para që duhen për prodhimin e makinave elektrike (dhe jo vetëm), (6) një pjesë e mirë e vendeve evropiane tashmë janë pjesë e projektit gjigand “Një Brez dhe Një Rrugë”, etj.

Foto:VCG

Foto:VCG

Tashmë është e qartë për çdo qytetar të Evropës dhe për çdo ligjvënës në Bashkimin Evropian se hetimet në lidhje me subvencionet qeveritare në Kinë për makinat elektrike nuk kanë asgjë të përbashkët me zhvillimin e tregut të makinave elektrike në Evropë dhe më gjerë dhe bien ndesh edhe me politikat evropiane për nxitjen e zhvillimit të energjisë së gjelbër dhe me politikat dhe angazhimet e Bashkimit Evropian në Organizatën Botërore të Tregtisë dhe në iniciativat ekonomike dhe tregtare të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, etj, ndërkohë që tre shtyllat e zhvillimit të BE-së për 20 vitet e ardhshme janë: marrëveshja e gjelbër, digjitalizimi dhe gjithëpërfshirja. Evropa dhe SHBA-të, në fakt, janë ato që kanë mbështetur me financime të shumta publike sektorin e prodhimit të makinave elektrike.

Hapja e ekonomisë së Kinës si dhe ecuria pozitive e industrisë së prodhimit të makinave elektrike në Kinë në fund të fundit ndihmojnë në shtimin e konkurrencës në këtë industri dhe kjo, përveç se ul çmimet në treg dhe përmirëson cilësinë e produkteve, sjell edhe aplikimin më të lehtë në arenën ndërkombëtare të rregullave ndërkombëtare dhe në territorin e Bashkimit Evropian të direktivave të BE-së për klimën, duke bërë që nga ana e tyre, prodhuesit më të mëdhenj të makinave të investojë edhe më shumë në sektorin e prodhimit të automjeteve me emetim zero.

Tashmë prodhues të tillë si Ford, Stellantis, General Motors dhe Mercedes-Benz kanë planifikuar shpenzime shumë miliarda dollarë për të shitur vetëm automjete me emetim zero brenda dy dekadave të ardhshme, duke sjellë edhe më shumë investime dhe edhe më shumë konkurrencë në një treg dhe në një sektor ku Kina me kompanitë e saj është dhe do mbetet padyshim lojtari kryesor.