Marka kineze Dongfeng NEV Voyah bën debutimin në Itali
2024-04-19 16:06:09

Foto nga CFP

Foto nga CFP

Marka kineze e automjeteve me energji të re, “Voyah”, debutoi në tregun italian me një lançim të makinave në Milano.

“Voyah” është një markë e korporatës kineze “Dongfeng Motor” (DFM), me seli në provincën Hubei të Kinës qendrore.

Ajo prezantoi automjetet “Voyah Free Utility” (SUV), “Voyah Dreamer Multi-Purpose Vehicle” (MPV) dhe “Voyah Zhuiguang Sedan” në Javën e Dizajnit të Milanos, shkruan “Xinhua”.

Bruno Mafrici, drejtor ekzekutiv i “Carmobility Ltd.”, distributori i “Voyah” në Itali, deklaroi se 100 automjetet e para për tre modelet e disponueshme në Itali tashmë janë shitur. Ai theksoi se modelet Plug-In Hybrid Electric Vehicle (PHEV) të markës do të tregtohen në Itali pas këtij lançimi.

Gao Yuan, kreu i biznesit jashtë shtetit në “Voyah”, zbuloi planet për të eksploruar tregjet e disa vendeve të tjera evropiane, duke përfshirë Sllovakinë, Gjermaninë, Spanjën dhe Portugalinë.

Që nga zgjerimi i tij jashtë shtetit në vitin 2022, “Voyah” ka hyrë në disa vende evropiane, duke përfshirë Norvegjinë, Finlandën, Danimarkën, Holandën, Bullgarinë dhe Republikën Çeke, me eksporte që arrijnë në rreth 10.000 njësi. (Irma)