Platforma e inteligjencës artificiale dyfishon shkallët e zbulimit për kancerin e ezofagut në fazën e hershme
2024-04-19 15:16:41

Foto nga CFP

Foto nga CFP

Shkencëtarët kinezë kanë zhvilluar një platformë të inteligjencës artificiale që dyfishon shkallën e zbulimit të kancerit të ezofagut në fazën e hershme.

Kanceri i ezofagut është shpesh asimptomatik, por mjekët me përvojë mund të zbulojnë tumoret dhe lezionet prekanceroze me endoskopi, shkruan “Xinhua”.

Shkalla e mbijetesës pesëvjeçare është mbi 90 për qind kur tumori trajtohet gjatë fazave të hershme, ndërsa rezultatet klinike bien ndjeshëm pasi pacientët fillojnë të përjetojnë simptoma.

Studimi, i botuar të enjten në revistën “Science Translational Medicine”, përshkroi një arkitekturë të drejtuar nga algoritme të të mësuarit të thellë, të cilat trajnohen nëpërmjet grupeve të të dhënave të mbi 190.000 imazheve të ezofagut të mbledhura nga disa klinika në Kinë. Prova klinike, e drejtuar nga studiues nga Spitali Taizhou në Provincën Zhejiang dhe Spitali Renmin i Universitetit Wuhan, rekrutoi më shumë se 3000 pjesëmarrës që iu nënshtruan endoskopisë. Sistemi i inteligjencës artificiale u përdor në gjysmën e vullnetarëve.

Sipas studimit, kjo platformë ndihmon në dyfishimin e shkallës së zbulimit të lezioneve të ezofagut me rrezik të lartë (1.8 për qind) krahasuar me atë në grupin e kontrollit (0.9 për qind).

Gjithashtu, platforma e inteligjencës artificiale në kohë reale ka treguar një ndjeshmëri dhe specifikë të lartë përkatësisht prej 89.7 për qind dhe 98.5 për qind në botën reale.

“Sistemi i asistencës endoskopike, në një masë të konsiderueshme, u mundëson endoskopëve me më pak përvojë të rrisin shkallët e zbulimit të lezioneve të ezofagut me rrezik të lartë, duke reduktuar shpeshtësinë e diagnozave të humbura”,- deklaroi Mao Xinli, autori përkatës i punimit, nga Spitali Taizhou. (Irma)