Kina, një partner i rëndësishëm i Gjermanisë
2024-04-19 11:17:59

Në 10-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve të partneritetit të gjithanshëm strategjik Kinë-Gjermani, kancelari gjerman Olaf Scholz kreu një vizitë tre-ditore në Kinë, me ftesë të homologut kinez Li Qiang. Scholz shoqëruar nga tre ministra të qeverisë dhe përfaqësues të lartë të kompanive të njohura gjermane, duke përfshirë Siemens, Bayer, Mercedes-Benz, BMW dhe Zeiss pati një agjendë të ngjeshur vizitash në Chongqing, Shangai dhe Pekin.

Bisedimet e kancelarit gjerman me kreun kinez të shtetit dhe homologun e tij kinez u fokusuan në një nivel të ri marrëdhëniesh dypalëshe, me reciprocitet dhe rezultate fituese, nëpërmjet dialogut dhe bashkëpunimit.

Kina e Gjermania janë ekonomia e dytë dhe ajo e tretë më e madhe në botë dhe forcimi e zhvillimi i marrëdhënieve dypalëshe kanë rëndësi të madhe për Euroazinë e për gjithë botën. Të dy vendet  kanë arritur rezultate të frytshme në bashkëpunimin financiar gjatë 40 viteve të fundit dhe pas kësaj vizite të kancelarit Scholz në Kinë pritet të zgjerohen dhe forcohen më tej. Analisti Enriko Ceko komenton këtë vizitë në intervistë për Grupin Mediatik të Kinës

Dr. Enriko Ceko në intervistë për CMG

Dr. Enriko Ceko në intervistë për CMG

CMG: Vizita e dytë e kancelarit Scholz në Kinë që pas marrjes së këtij posti të rëndësishëm dhe e para e një lideri botëror në Pekinin zyrtar këtë vit. Agjenca e kësaj vizite ishte interesante, pasi nisi me vizitat e kancelarit gjerman dhe delegacionit që e shoqëronte në Chonqing, një qytet industrial, ku vizitoi kompani gjermane dhe kino gjermane, për të vijuar më pas me Shangain dhe takimet zyrtare në Pekin. Kancelari shoqërohej nga 3 ministra të kabinetit të tij, si dhe përfaqësues të kompanive të mëdha gjermane si Siemens, BMW, Bayer etj. Sipas ekpertëve vizita e tij synon të ekuilibrojë politikën e Gjermanisë me Kinën. Kompanitë, veçanërisht ato të mëdha, janë kundër “çrrezikimit” ose “shkëputjes”prej Kinës. Opinioni juaj për këtë

Dr.Enriko Ceko: Vizita nisi me një takim midis kancelarit gjerman dhe Qendrës Inovative të Bizneseve gjermane në Kinë, që është një investim gjermano-kinez për të ndihmuar kompanitë gjermane të kenë krijueshmëri dhe inovacion në mënyrë që produktet dhe shërbimet që realizojnë  kompanitë gjermane në Kinë të jenë inovative për tregun ndërkombëtar. Ky është elementi më i rëndësishëm i takimit të ditës së pare.

Dhoma e Tregtisë Gjermani-Kinë deklaroi se “të paktën 90 për qind e bizneseve gjermane që operojnë në Kinë nuk e shikojnë të arësyeshme ndarjen BE-Kinë. Vizita e kancelarit gjerman në Kinë nuk është thjesht vizita e një përfaqësuesi të Gjermanisë, por dhe një përfaqësuesi të Bashkimit Europian.

Po të shohim çfarë ka ndodhur 3 vitet e fundit kuptojmë se në tregun botëror të aksioneve diplomatike, aksionet e Kinës janë rritur, pasi Kina ka ndërmarrë hapa të rëndësishëm në arenën diplomatike ndërkombëtare, duke u përpjekur që të reduktojë tensionet ndërkombëtare në marrëdhëniet midis Ukrainës dhe Rusisë, midis Izraelit dhe vendeve arabe si dhe në marrëdhëniet midis Izraelit dhe Iranit.

Kancelari Scholz dhe kryeministri kinez Li Qiang (Foto CMG)

Kancelari Scholz dhe kryeministri kinez Li Qiang (Foto CMG)

Kancelari gjerman gjatë vizitës në Kinë  bëri një deklaratë të fuqishme për uljen e tensioneve midis Iranit dhe Izraelit në përgjithësi dhe Izraelit dhe Lindjes së Mesme në veçanti, duke i lënë më shumë hapësirë Kinës që të vazhdojë përpjekjet e saj diplomatike për të rikrijuar disa balanca më të mira në tregun ndërkombëtar.

Europa nuk e ka patur kurrë shansin historik që të shërbejë si axhustues  në marrëdhëniet midis Kinës dhe SHBA-së. Europa është partner shumë i rëndësishëm tregtar midis të dy palëve dhe nga ana tjetër qëndron në mes të Kinës dhe SHBA-së dhe duke patur një raport të tillë me të dyja palët mund të shërbejë jo thjesht si një axhustues politik, por në planin ekonomik.

CMG: Sigurisht sepse Bashkimi Europian është ekonomia e tretë e botës

Dr. Enriko Ceko: Vizita e kancelarit gjerman nuk është për vitin 2025, por është afatgjatë. Të mos harrojmë faktin se Europa nuk ka burime natyrore dhe gjatë gjithë historisë së saj të zhvillimit të 5 shekujve  të fundit, i ka pare burimet natyrore jashtë saj dhe kryesisht i ka pare në Afrikë.

Gjermania ka patur një qasje më interesante që gjatë luftës së pare dhe të dytë botërore qasjen e ka patur drejt Azisë.

CMG: Qysh në vitin 1984 Gjermania ka vendosur me Kinën marrëdhënie financiare

Dr. Enriko Ceko: Duke patur këtë qasje, fakti që Kina është një vend shumë i pasur me burime natyrore të vlefshme për epokën digjitale, sepse lëndët e para apo produktet që përdoren për teknologjinë e informacionit janë në Kinë. Gjithashtu lëndët e para që përdoren në atë që sot quhet energjia e gjelbër, apo makinat elektrike janë në Kinë

CMG: Në agjendën e takimeve të kancelarit gjerman ishte energjia e gjelbër, inovacioni, ndryshimet klimatike

Dr. Enriko Ceko: Nëse do të shikojmë makinat elektrike është rënë dakord të ketë një treg të hapur, konkurrencë të drejtë midis të gjithë lojtarëve në treg për prodhimin e tyre në mënyrë që të ketë edhe makina elektrike gjermane në tregun kinez, por dhe makina elektrike kineze të tregun gjerman.

Madje kancelari gjerman përmendi dhe shembullin e Japonisë, duke theksuar se në vitet 80-të të gjithë u habitën që kishte makina japoneze në Europë, por pakkush e kuptoi se do të kishte dhe makina europiane në Japoni.

Mendoj që kjo qasje vlen jo vetëm për makinat elektrike, por për të gjithë produktet dhe shërbimet

Kancelari Scholz në Kinë (Foto CFP)

Kancelari Scholz në Kinë (Foto CFP)

CMG: Kreu i shtetit kinez në bisedimet me Scholz vuri në dukje se zinxhirët industrialë e furnizues të Kinës e Gjermanisë janë të lidhur thellësisht me njëri-tjetrin dhe tregjet e të dy vendeve janë të ndërvarura.

Scholz theksoi se Gjermania do të forcojë koordinimin me Kinën në përballimin e përbashkët të sfidave globale, si ndryshimi klimatik, dhe do të mbrojë rendin ndërkombëtar shumëpolar duke nxitur paqen e zhvillimin botëror. Sa do të ndikojë kjo vizitë në aktualitetin politik dhe ekonomik global?

Dr. Enriko Ceko: Përmendët një fakt shumë të rëndësishëm, zinxhirin e furnizimit. Kujtojmë se gjatë pandemisë Covid 19 pati dy bllokime të Kanalit të Suezit me anije të tonazhit të lartë, ndërsa para një viti e gjysmë ndodhi fundosja e një anije shumë të madhe transoqeanike me 4 mijë makina gjermane të cilësisë së lartë, që i kushtonte Gjermanisë rreth 400 milion euro të prodhuesve gjermanë. Këto janë aspekte të menaxhimit të zinxhirëve të furnizimit. 

Kina ka një projekt të madh në kuadër të nismës “Një brez, një rrugë” që që nga Porti i Selanikut deri në Gjermani të bëjë një autostradë të drejtpërdrejtë, që përfshin Greqinë, Maqedoninë e Veriut, kalon në periferi të Prishtinës, në Hungari dhe del në kufi me Gjermaninë për të reduktuar koston e transportit për kompanitë gjermane dhe europiane që operojnë në Kinë. Mallrat vijnë në Portin e Selanikut nga Kina shkarkohen atje dhe drejtpërdrejtë marrin autostradën drejt Gjermanisë ku kompanitë kanë pikat e shpërndarjes. Ky pra është zinxhiri i furnizimit.

Ky projekt nuk është pozitiv vetëm për Gjermaninë dhe Kinën, por të gjitha vendet që prek rruga përfitojnë. Për Shqipërinë është shumë e rëndësishme që kemi një rrugë transnacionale që lidhet me Prishtinën dhe nga deti kemi Durrësin, ndërsa nga veriu kemi autostradën transnacionale, ndaj dhe Shqipërisë i shërben ky projekt i madh.

Takimi Scholz-Xi nuk është një takim thjesht midis dy krerëve të shteteve, që shohin interesat dypalëshe. Nëse hyjmë në burse dhe hapim kalendarin ekonomik, ekonomitë europiane rankohen në këtë burse me demin, që është fuqia që tregon ekonominë.  Demi është një simbol i bursave kudo në botë. Ekonomia gjermane në burse rankohet me 3 dema, ekonomia italiane me 1 dem, ajo franceze me 2 dema. Në Europë vetëm ekonomia gjermane dhe ajo britanike rankohen me 3 dema, që tregojnë fuqinë e ekonomisë. Po me 3 dema rankohet ekonomia amerikane dhe ajo kineze.

CMG: Mendoni se ka ende potenciale të bashkëpunimit ekonomik  midis Kinës dhe Gjermanisë sidomos në ekonominë e gjelbër, inovacion, automjetet elektrike, biofarmaceutikë, energjinë e pastër dhe inteligjencën artificiale?

Dr. Enriko Ceko: Ata që shoqëruan kancelarin gjerman ishin ministri  i bujqësisë, i transportit dhe mjedisit. Kur flasim për komunitetin e biznesit ishin përfaqësues të Benz, BMW, Siemens, BASF etj. Në momentin që drejtori ekzekutiv i Mercedes-Benz, një kompani ndër më të hershmet në botë, prej 120 vjetësh dhe që rankohet e para si lider botëror në tregun e makinave, vë këmbën në aeroportin e Pekinit, këtu kuptohet rëndësia dhe niveli.

Por kemi dhe një element tjetër. Tri shtyllat e Europës janë ekonomia e gjelbër, digjitalizimi dhe gjithëpërfshirja. Të tre këto shtylla të objektivave të BE-së  në të vërtetë gjejnë një përqasje analoge dhe me politikat e hartuara nga PKK për të ardhmen e vendit në 100 vitet që vijnë.

Mbrojtja e mjedisit dhe përmirësimi i cilësisë së jetës së qytetarëve të Kinës nëpërmjet digjitalizimit dhe ribalancimi i nivelit të të ardhurave të qytetarëve kinezë janë tre elementë lehtësisht të krahasueshëm me objektivat   që ka BE-ja për qytetarët e Unionit.

Atëhere përse të mos bashkëpunojnë vendet për këto tre objektiva?

Ne punojmë për gjëra të përbashkëta pavarësisht se jemi larg. Bota sot është bërë aq e vogël saqë kur ka objektiva të përbashkëta palët ulen në tavolinë dhe bisedohet dhe gjehen urat e bashkëpunimit.

Takimi Xi-Scholz (Foto CMG)

Takimi Xi-Scholz (Foto CMG)

CMG: Përpara bisedimeve të tij me Xi, Scholz-i theksoi rëndësinë e bashkëpunimit me Kinën në luftën kundër ndryshimeve klimatike. "Ngjarjet ekstreme të motit si stuhitë, përmbytjet, thatësirat dhe të ftohtit ndikojnë në të gjithë botën," tha Scholz. "Vetëm së bashku do të kemi sukses në gjetjen e zgjidhjeve, ndalimin e ndryshimeve klimatike dhe menaxhimin e tranzicionit të energjisë së gjelbër në një mënyrë të drejtë për shoqërinë."

Dr. Enriko Ceko: Javën që kaloi Kina vuri në funksionim një ndër projektet më gjigante në botë të menaxhimit të ujrave, që lidhet drejtpërdrejtë me çeshtjet e mjedisit, lëndët e  para dhe furnizimin. Ky është kanali ujësjellës Jug-Veri prej 1400 km dhe ka kushtuar 40 miliardë dollarë, financim i qeverisë kineze për të ndihmuar veriun e vendit për t’u rritur ekonomikisht.

Ndërkohë po në veri të Kinës operojnë kompanitë gjermane. Pra po kryhet një investim që investimet e huaja në Kinë të kenë ujë, sepse uji është burimi i pare. Ky projekt i madh në momentin që kalon pjesën e mesme të Kinës ndahet në tre drejtime dhe llogariten rreth 42 miliard meter kub ujë prurje në shërbim të qytetarëve dhe bizneseve. Koncepti i kësaj vepre të madhe ujore për të furnizuar bizneset me ujë tregon rë dësinë që i jep Kina investimeve të huaja dhe prezencës edhe të kompanive gjermane në vend.

Kina gjithashtu ka filluar 4 projekte gjigante të prodhimit të energjisë së gjelbër dhe nuk e kam fjalën për termocentrale apo hidrocentrale, por për lloje të tjera energjish të cilat do të bëjnë të mundur që të paktën për 10 vitet e ardhshëm çmimi i energjisë në tregun botëror të bjerë.

Këtu dua të theksoj dhe rolin e kompanive britanike, të cilat kanë dhënë konsulencën për ndërtimin e këtyre supergjigantëve të prodhimit të energjisë së gjelbër. Por është e rëndësishme të theksojmë që është investim i taksapaguesve kinezë.

CMG: Scholz është shprehur shpesh pro bashkëpunimit Kinë – BE. Gjermania është një nga partnerët kryesorë tregtarë të Kinës në Evropë, me tregtinë dypalëshe që përbën një të tretën e totalit të tregtisë Kinë-Bashkimi Evropian. Fakti që investimet gjermane në Kinë përbëjnë një të tretën e investimeve totale të BE-së, nënvizon natyrën simbiotike të ndërvarësisë së tyre ekonomike. Kjo  vizitë e Scholz a do të nxisë zhvillimin e qëndrueshëm të marrëdhënieve Kinë-BE?

Dr. Enriko Ceko: Do t’i referohem një deklarate të Joschka Fischer,ish minister i jashtëm gjerman, që ka ngjallur diskutime atëkohë, por që ishte një e vërtetë e madhe. Ai ka thënë “Është mire që të mos merremi me luftën kundër vendeve të cilat ne nuk mund t’i arrijmë dot në të ardhmen nga fuqia ekonomike.Kinën ta trajtojmë si një partner konkurrues”.

Ky term “partner konkurrues” i përdorur nga Fischer në vitin 2015, sot po përdoret gjerësisht, jo vetëm nga kancelari gjerman Scholz, por ka hyrë  në BE si një term që përdoret nga të gjithë liderët e Unionit në marrëdhëniet me Kinën.

CMG: Sipas analizave, Kina dhe Gjermania kanë një të përbashkët në marrëdhëniet e tyre, pragmatizmin.

Dr. Enriko Ceko: Kur flasim për biznes me Kinën dhe biznes me Gjermaninë janë dy vende që etikën e biznesit, moralin e bërjes biznes e kanë në nivelet maksimale. Në Kinë nuk duhet shkuar 5 minuta me vonesë në takim, por është e njejta gjë dhe për Gjermaninë. Këto janë themelet e pragmatizmit dhe në fund të çdo takimi apo bisede pune ka një objektiv.

Intervistoi Eda Merepeza