Ministrat e Jashtëm të Kinës dhe Iranit zhvillojnë një bisedë telefonike
2024-04-16 11:10:52

Ministri i Jashtëm kinez Wang Yi dhe homologu iranian, Hossein Amir-Abdollahian, zhvilluan një bisedë telefonike të hënën, mbi tensionet mes Izraelit dhe Iranit.

Foto:VCG

Foto:VCG

Amir-Abdollahian informoi z.Wang mbi qëndrimin për sulmin ndaj konsullatës iraniane në Damask, Siri, duke thënë se Këshilli i Sigurimit i OKB-së nuk iu përgjigj siç duhej sulmit, ndaj Irani ka të drejtën e vetëmbrojtjes, kundrejt shkeljes së sovranitetit të tij.

Duke vënë në dukje se situata aktuale rajonale është shumë e ndjeshme, kryediplomati iranian tha se vendi i tij është i gatshëm të ushtrojë vetëpërmbajtje dhe nuk ka ndërmend të përshkallëzojë më tej situatën.

Ministri i Jashtëm kinez Wang, tha se Kina dënon kategorikisht dhe kundërshton me vendosmëri, sulmin ndaj konsullatës së Iranit në Siri. E konsideron atë të papranueshme dhe një shkelje të rëndë të ligjit ndërkombëtar. 

Kina thekson deklaratën e Iranit se veprimi i ndërmarrë ishte i kufizuar dhe një akt vetëmbrojtjeje, në përgjigje të sulmit kundër konsullatës në Siri, tha Wang.

Kina vlerëson angazhimin e Iranit për të mos synuar vendet rajonale dhe fqinje, si dhe përsëritjen e qëndrimit për ndjekjen e vazhdueshme të politikës së fqinjësisë së mirë dhe miqësore. “Irani mund ta trajtojë siç duhet situatën dhe ta mbrojë rajonin nga trazirat e mëtejshme, duke ruajtur sovranitetin dhe dinjitetin e tij”, shtoi ai.

Wang gjithashtu deklaroi se situata aktuale është pasojë e konfliktit të Gazës dhe detyra urgjente tani është zbatimi i shpejtë i Rezolutës 2728 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, duke i dhënë fundi konfliktit, për të mbrojtur civilët dhe parandaluar përkeqësimin e mëtejshëm të fatkeqësive humanitare.

Kina është e gatshme të mbajë komunikim me Iranin për një zgjidhje të drejtë,  gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme të çështjes palestineze, shtoi Wang. (Zhang Yan/Elona)