Kontributi i Kinës për mbrojtjen e Tokës
2024-04-16 21:50:10

Foto nga CFP

Foto nga CFP

Në tetor të vitit 2023, Programi i Mjedisit i OKB-së (UNEP), me seli në Najrobi të Kenias, dha Çmimin e Kampionëve të Tokës të OKB-së për vitin 2023. Modeli i sistemimit të mbeturinave plastike detare "Cikli Blu” i provincës Zhejiang të Kinës fitoi këtë çmim më të lartë të OKB-së për mbrojtjen e mjedisit.

Chen Yuan, shefi i zyrës së çështjeve të detit të Departamentit të Mjedisit të provincës Zhejiang:

“Ky projekt ka zgjidhur problemin e sistemimit të mbeturinave plastike detare, duke përfshirë ripërtëritjen e mbeturinave, trajtimin e mbeturinave me kosto të ulët të ripërtëritjes dhe të atyre që mblidhen me vështirësi. Projekti mund të pakësojë në mënyrë efektive hedhjen e mbeturinave plastike në det, duke mbrojtur jetën detare e duke përmirësuar mjedisin ekologjik detar.”

Projekti “Cikli Blu” është një sistem vizual “mbledhje-ruajtje-transport-ripërtëritje-prodhim” i sistemimit të mbeturinave plastike detare në bazë të teknologjisë “internet+zinxhir blloqesh”, i cili mund të sigurojë kontrollin e mbeturinave plastike detare, riciklimin me karbon të ulët dhe përtëritjen.

Mao Ningtao, punonjës i projektit “Cikli Blu”, tha:

“Me afrimin e moratoriumit të peshkimit, disa anije peshkimi kthehen në port. Pas mbërritjes, peshkatarët bëjnë regjistrimin e rrjetave të peshkimit të prishura ose të hequra dhe ne i riciklojmë këto rrjeta. Vetëm vitin e kaluar, ne mblodhëm 2000 tonë rrjeta peshkimi të hequra.”

Me politikën e qeverisë dhe operacionin në treg, projekti “Cikli Blu” i ka tërhequr banorët bregdetarë të marrin pjesë aktivisht në mbledhjen e mbeturinave plastike detare, duke realizuar mbrojtjen ekologjike dhe pasurimin e banorëve.

Mbledhës vendas i mbeturinave plastike detare:

“Pothuajse vij çdo ditë. Sot kam mbaruar të gjitha mbeturinat dhe nuk mbetet asgjë. Me ardhjen e valëve në mbrëmje, nesër do të ketë më shumë mbeturina për të mbledhur.”

22 prilli është Dita Botërore e Tokës. Këtë vit tema kryesore e Ditës së Tokës është “Planeti kundër plastikës”. Sipas të dhënave zyrtare të UNEP-it, tani njerëzimi prodhon në vit rreth 430 milionë plastikë, 2/3 prej së cilës bëhen shpejt mbeturina. Çdo vit 23 milionë tonë mbeturina plastike hyjnë në sistemin ekologjik ujor duke ndotur liqenet, lumenjtë e detet. Në fushën e riciklimit e përtëritjes së mbeturinave plastike, Kina është në krye të botës.

Siddharth Chatterjee, koordinuesi i OKB-së në Kinë:

“Tani është koha e modelit të ekonomisë qarkulluese, ku plastika riciklohet, ripërdoret dhe riintegrohet në ciklin e prodhimit. Si prodhuesja e eksportuesja më e madhe e plastikës në botë, Kina po luan një rol të veçantë në nxitjen e tranzicionit në ekonominë qarkulluese të plastikës.”

Enriko Ceko, drejtori ekzekutiv i Qendrës për Zhvillimin e Vazhdueshëm të Shqipërisë:

“Kina është bërë vendi i parë i madh i riciklimit të plastikës në botë. Në vitin 2021, Kina ricikloi rreth 1/3 e mbeturinave plastike të shtuara, shifër kjo që ishte rreth 1.7 herë më e lartë se niveli mesatar global. Faturat elektronike, ambalazhi më i vogël dhe çantat e riciklueshme janë shumë të zakonshme në Kinë. Edhe ne mund të riciklojmë mbeturina plastike si Kina, duke krijuar më shumë vende pune e duke nxitur lulëzimin ekonomik, për të mbrojtur natyrën e Tokën.”

Sipas të dhënave, gjatë 1 dekade nga viti 2011 deri më 2020, Kina ricikloi e ripërdori gjithsej 170 milionë tonë mbeturina plastike. Në vitin 2021, qeveria kineze publikoi “Planin e veprimit për sistemimin e ndotjes plastike gjatë periudhës së planit të 14-të 5-vjeçar”, ku thuhet se deri në vitin 2025, sistemimi i zinxhirit të prodhimit, qarkullimit, konsumit, riciklimit e trajtimit do të jetë më efektiv dhe ndotja plastike do të ndalohet efektivisht.

Vicentiu Gheoghe, presidenti i nderit i Shoqatës ChinaRo:

“Si vendi më i madh i prodhimit e konsumit të plastikës, Kina po përpiqet ta përballojë problemin e ndotjes plastike. Kina është pioniere dhe kontribuese në sistemimin e ndotjes plastike globale.”

Abdulaziz Alshaabani, studiuesi i çështjeve kineze prej Arabisë Saudite:

“Përvoja e Kinës për pakësimin e ndotjes plastike konsiderohet si përvoja më e rëndësishme në botë, sepse Kina hartoi nga e para ligje e rregullore për të parandaluar ndotjen e mjedisit. Në përballimin e ndotjes plastike, Kina është një vend i përgjegjshëm dhe është vendi i parë në botë që kufizon produktet plastike njëpërdorimëshe.”

Kina po vepron për të pakësuar ndotjen plastike. Në nëntor të vitit 2023, Kina publikoi “Planin e veprimit 3-vjeçar për shpejtimin e zëvendësimit të plastikës me pambuk” me qëllim që të zëvendësohen produktet plastike nga pambuku. Po zhvillohet në Kinë revolucioni i gjelbër “zëvendësimi i plastikës nga bambuku”.

Nicholas Rosellini, koordinuesi i OKB-së dhe përfaqësuesi i UNEP-it në Kinë:

“Kina e ka dëshmuar veten si një përkrahëse e Agjendës për Zhvillimin e Vazhdueshëm dhe e Objektivave të Zhvillimit të Vazhdueshëm 2030. Ne mund të shohim se Kina ka bërë shumë përpjekje në fushën e prodhimit, të teknologjisë së pastrimit, të përdorimit të energjisë së përtëritur dhe të konsumit. Publiku e ka shtuar ndërgjegjësimin për pakësimin e konsumit, ripërdorimin e burimeve të tanishme dhe riciklimin.” (Fani)